Në Tiranë është mbajtur dje Samiti BE-Ballkani Perëndimor. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka marrë pjesë fizikisht në këtë samit, por vetëm virtualisht. Për këtë ka pasur kritika nga opozita. Kurti është cilësuar nga ta si “idhnak” e “i papërgjegjshëm”. Ai vetë ka thënë se e kishte të pamundur të merrte pjesë, meqë përgatitjet dhe dakordimi për vizitën në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë ishin bërë në vitin e kaluar.
Kreu i PDK’së, Memli Krasniqi, e ka quajtur këtë papërgjegjësi dhe ikje nga obligimet. Krasniqi ka thënë se me këtë qasje të Kurtit, Kosova jo që nuk do të përfitojë investime të reja, mirëpo as masat ndëshkuese të BE’së, nuk do të hiqen.
Sot, Kryeministri i Kosovës vendin e ka pasur në Tiranë, në mesin e liderëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor e të Bashkimit Evropian. Një gjë është e qartë: me këtë qasje të Kryeministrit Kurti, Kosova jo që nuk do të përfitojë investime të reja, mirëpo as sanksionet aktuale të vendosura nga BE ndaj shtetit tonë, nuk do të hiqen. Një Kryeministër idhnak, i papërgjegjshëm e që vuan nga kompleksi i inferioritetit, fatkeqësisht për Kosovën, nuk do të arrijë të thelloj as raportet mbarë-shqiptare, e lëre më ato rajonale dhe evropiane”, ka shkruar Krasniqi.
Kritika ka pasur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti ka thënë se “ligjëratat nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga ky takim”.
Sipas Hotit, aty ka qenë vendi për të insistuar dhe avokuar për zhbllokimin e 300 milionë eurove për projekte për shkak të masave të BE-së ndaj Kosovës.
“Nuk ka asnjë arsyetim pse Kosova nuk është e pranishme në Tiranë në Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Nuk ka agjendë më të rëndësishme për Qeverinë se ky samit, përveç ndonjë emergjence kombëtare. Jam i sigurt se ligjëratat nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga ky takim”, ka thënë Hotit.
Tutje, Hoti ka thënë se Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte konsultime të ngushta me Qeverinë Rama përpara këtij samiti.
“Samiti në Tiranë është vendi për të prezantuar nevojat dhe projektet, si dhe për të bërë konsultimet e nevojshme me partnerë. Aty është vendi për të insistuar dhe avokuar për zhbllokimin e 300 milionë eurove për projekte për shkak të masave të BE-së ndaj Kosovës. Sipas Komisionierit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, plani i BE-së për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor është konceptuar në Tiranë. Rrjedhimisht, Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte konsultime të ngushta me Qeverinë Rama përpara këtij samiti”, tha Hoti.
Lidhur me mospjesëmarrjen fizike në këtë samit, është deklaruar vonë në mbrëmje vetë Kurti.
Ai tha se e kishte të pamundur të merrte pjesë në samit, meqë përgatitjet dhe dakordimi për vizitën në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë ishin bërë në vitin e kaluar.
“Megjithëkëtë, në konferencën e sotme në Tiranë me titull “Plani i Rritjes dhe Konvergjenca”, isha pjesëmarrës virtualisht përmes një videomesazhi ku theksova mbështetjen dhe solidaritetin e Republikës së Kosovës me Ukrainën dhe popullin e saj; bashkëpunimin dhe integrimin Rajonal përmes Procesit të Berlinit bazuar në rregullat dhe vlerat e BE-së; përkrahjen dhe përkushtimin për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian që mundëson lidhjen graduale me Tregun Unik të BE-së; përkushtimin në reforma dhe pritjet për samitin e radhës të Procesit të Berlinit dhe Planin e Ri të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (TPR)”, ka shkruar Kurti.
Ndryshe, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se plani i Bashkimit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor, është një platformë kyçe për të përshpjetuar hyrjen në BE.
Gjatë konferencës së përbashkët me Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi, Rama tha se çështjet politike s’do të merren si arsye për të mos bërë marrëveshje.
Në nisje të Samitit rajonal për planin e rritjes, që po mbahet në Tiranë të Shqipërisë, komisionari evropian tha se plani bëhet funksional vetëm nëse gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor aplikojnë reformat dhe kriteret e kërkuara.
“Dua t’ju them se të gjitha ato përpjekje që ne kemi bërë përgjatë atyre dhjetë vjetëve për të ecur drejt integrimit rajonal, përmes planit të ri të rritjes duhet të ndodhin pa “por”, pa arsye politike për të mos bërë marrëveshje. Dua të përfitoj nga ky rast për t’ju thënë të gjithëve se kur flisnim herë pas here sa e rëndësishme ishte të ecej më shpejtë përmes rrugëtimit rajonal e për të arritur më pranë njëri tjetrit në marrëveshjet ndërkufitare për lëvizjen e kapitalit, të shërbimeve të mallrave të njerëzve, tani më është e qartë se po të kishim bërë më shumë, më përpara do të kishim qenë më pranë edhe tani. Pra, integrimi evropian shkon përmes integrimit rajonal, nuk është diçka e debatueshme dhe plani i ri e vulos një gjë të tilla”, tha Rama.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE më 2022 dhe tani ka vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me bllokun.
Vendet tjera të Ballkanit Perëndimor e kanë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Në disa raste, është përmendur që BE-ja duhet të përgatitet për t’i pranuar anëtarët e rinj deri më 2030.