terrrFamilja e Enver Hadrit të ndjerë, të vrarë në Bruksel, ka njoftuar se sot se vrasësit e Enveri sot janë shpallur fajtorë.

Familja për këtë ka falënderuar avokatin e saj Choirstof Marchand dhe gjykatës vendorë.

Sot, më 22 nëntor, gjykata Penale e Brukselit ka nxjerrë fajtorë Veselin Vukotiqin, Andrija Drashkoviqin, dhe Bozhidar Spasiqin, të kenë vrarë me paramendim Enver Hadrin, luftëtarin dhe aktivistin ër të drejtat e njeriut.

Dy pjesëmarrës të tjerë të vrasjes së Hadrit , Andrija Llakoniq dhe Darko Ashanin janë vrarë në Serbi.

Vrasësit e Enver Hadrit, pjesëtarë të nëntokës serbe bë Bruksel por edhe zyrtarë të lartë të Sigurimit Shtetëror të ish – Jugosllavisë, UDB, që kontrollohen nga Serbia.

Shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet gjatë ditëve në vijim,

Familja Hadri ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm.

Enver Hadri u vra në vitin 1990.

Koha.net ka siguruar ekskluzivisht deklaratën komplete të familjes Hadri:

Gjykata Penale e Brukselit shpalli fajtor organizatorin dhe vrasësit e Enver Hadrit

Njoftim

Ne, familja e Enver Hadrit, në cilësinë e palës civile në këtë dosje penale, kemi nderin dhe kënaqësinë të informojmë opinionin shqiptar se pas përpjekjes shumëvjeçare dhe me ndihmën e pakursyer të avokatëve tanë, sidomos të Zotit Christop Marehand, arritëm që vrasësit e burrit dhe babait tonë, Enver Hadri, të nxirren para drejtësisë dhe të shpallen fajtorë.

Kjo ishte një betejë e gjatë përballë diversioneve të panumërta të organeve të shtetit jugosllavë e serb, përballë vonesave, neglizhencës, por edhe lëshimeve të çuditshme të disa hallave të sistemit gjyqësor.

Në këtë kuptim prej datës 7 nëntor e deri më sot 22 nëntor 2016 Gjykata Penale e Bruksellit, në përbërje të tre gjyqtarëve profesionistë dhe të jurisë prej 12 qytetarëve të zgjedhur me short mbajti 12 seanca gjyqësore ku u shqyrtua aktakuza e Prokurorit të Mbretit e cila ngarkon Veselin Vesko Vukitiqin, Andrija Drashkoviqin (kriminelë të njohur nga nëntoka serbe) dhe Bozhidar Spasiqin (shef për operacione speciale i UDB-së jugosllave) për vrasjen me paramendim të Enver Hadrit, kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë.

Dy pjesëmarrës të tjerë në këtë vrasje: Andrija Llakoniq dhe Darko Ashanin, u vranë në Serbi në rrethana që bëjnë të dyshohet se motivi ishte të mos zbardhet vrasja e Enver Hadrit.

Gjatë këtij gjykimi i dhanë dëshmitë e tyre ekspertë të kriminalistikës, ekspertë të historisë së Ballkanit, hetues policorë, ekspertë të atentateve politike por edhe dëshmitarë të ndryshëm, përfshirë këtu edhe dëshmitarë okularë. Pati edhe dëshmitar për të konfirmuar dëshmitë e tyre që kishin dhënë me parë në Tribunalin e Hagës.

U lexuan procesverbale të ndryshme dhe dokumente gjyqësore e hetimore të të gjitha shkallëve në një procedurë që zgjati më shumë se një çerek shekulli.
Ju përkujtojmë se Enver Hadri u vra më 25 gusht 1990. Policia pati gjetur atëherë në xhepin e Enverit listën prej 32 shqiptarëve që ishin vrarë rishtas nga policia serbe në manifestimet paqësore në përpjekje për të mbrojtur autonominë e Kosovës.

Asaj kësaj radhe në bankën e të akuzuarve nuk u ulën vrasësit e Enver Hadrit, sepse ata i mbrojti dhe po i mbron me të gjitha mjetet e mundshme shteti serb, por kjo nuk ndryshon asgjë, sepse realisht, në vendin e tyre, ishte i ulur dhe gjykohej e u dënua bashkë me vrasësit edhe vetë Serbia.

Në fjalën e saj të fundit Prokurorja e Mbretit përmendi:

Se ky gjykim i bëri një nderim Enver Hadrit, por edhe përpjekjeve të drejtësisë për të nxjerr të vërtetën në shesh;

Se ky krim është shqyrtuar në imtësi dhe në të gjitha aspektet e mundshme;

Se vrasja e Enver Hadrit, ishte një krim i rëndë, i kryer me gjakftohtësi e paramendim, me armë e municion të përzgjedhur paraprakisht;

Se vrasja e Enverit ishte një gjurmë gjaku me shumë në drurin gjenealogjik të familjes Hadri [Babai i Enverit është pushkatuar nga serbët në vitin 1944].

Se indiferenca vret, dhe se mosndëshkimi gjyqësor i krimit e vret viktimën për të dytën herë.

Siç dihet Gjykata e Madhe Penale merr vendime ndaras për dy çështje thelbësore:

a. Për përcaktimin e fajësisë për çka vendos Juria dhe

b. Për masën e dënimit, në rast të akuzuarit shpallen fajtorë, për çka vendos Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarë profesionistë.

Tani, siç po shihet, Juria i shpalli fajtorë organizatorin dhe vrasësit e Enver Hadrid, ndërkaq në ditët në vijim Gjykata do t’ua shqiptojë dënimin me burg.
Paraprakisht avokatët tanë dhe Prokuroria kanë kërkuar dënimin me burg të përjetshëm për të tre të akuzuarit.

Ne konsiderojmë se kjo është një fitore e madhe, sepse dëshmon që drejtësia vonon, por nuk harron.

Ne jemi të sigurt se në negociatat për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, Serbia do të detyrohet t’ua dorëzojë argatët e saj vrasës organeve belge të drejtësisë për ta vuajtur dënimin e merituar.

Në fund, duam të falënderojmë të gjithë ata që na kanë ndihmuar e mbështetur në këtë betejë të gjatë e të vështirë, pikësëpari zotin Cristoph Marchand dhe ekipin e tij, mediet belge sidomos dhe të gjithë ata pjesëtarë të sistemit gjyqësor belg, që duke e kryer punën e tyre ndershmërisht, kontribuuan që vrasësit e Enver Hadrit të demaskohen dhe dënohen.

SHPËRNDAJE