U.d. i Kryeshefit Ekzekutiv të NP “Termokos” SH.A., Kastriot Bllaca, ka pritur sot në një takim përfaqësues të Bashkimit Evropian në Kosovë, të udhëhequr nga Huber Perr, shef i seksionit për bashkëpunim.
Gjatë takimit, Bllaca ka falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme financiare dhe teknike ndër vite, duke theksuar rolin kyç që kjo mbështetje ka pasur në transformimin e sistemit të ngrohjes në Prishtinë. Sipas tij, projektet e financuara nga BE kanë ndikuar drejtpërdrejt në modernizimin e rrjetit të ngrohjes dhe në orientimin drejt burimeve më të pastra të energjisë.
Fillimisht, bashkëpunimi u konkretizua përmes projektit të kogjenerimit, ndërsa më pas është zgjeruar me iniciativa të tjera që përfshijnë rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemit të ngrohjes qendrore. Falë këtyre investimeve, mbi 25 mijë konsumatorë përfitojnë shërbime më cilësore, ndërsa ndikimi në përmirësimin e cilësisë së ajrit në kryeqytet mbetet i dukshëm.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i BE-së, Huber Perr, ka shprehur interes të veçantë për projektet aktuale në zhvillim, përfshirë “Solar 4Kosovo II” dhe projektin për dyfishimin e kapaciteteve të Termokos. Ai vlerësoi progresin e arritur dhe ndikimin pozitiv që këto investime kanë në jetën e qytetarëve.
Që nga fillimi i bashkëpunimit në kuadër të projektit të kogjenerimit, Bashkimi Evropian ka investuar mbi 50 milionë euro në projektet e Termokos, duke mbetur një nga partnerët kryesorë në zhvillimin e infrastrukturës energjetike në Prishtinë.




