Pas humbjes në shtëpi me rezultatin 3-2 përballë ekipit të drejtuar nga trajneri Zinedine Zidane, presidenti i skuadrës së Villarreal Fernando Roig ka shprehur një pretendim alarmues, teksa aludoi se ka parë arbitrin Gil Manzano dhe asistentët e tij teksa largoheshin nga stadiumi “Ceramic” me çanta/qese të Real Madrid, mbrëmjen e të dielës. “Gil Manzano dhe asistentët e tij u larguan nga stadiumi teksa mbanin çanta të Real Madrid. Mua më duket se kjo nuk është aspak e drejtë”, deklaroi Roig për mediat vetëm pak orë pas përfundimit të ndeshjes.

Pronari miliarder i Villarreal nuk saktësoi se për çfarë lloji çantash ai po fliste, si përshembull, nëse ishin materiale me markën e Real Madrid, apo nëse bëhej fjalë për qese plastike nga dyqani zyrtar i klubit. Në të vëretë mungojnë edhe fotot të këtij incidenti, që të mund të konfirmojnë versionin dhe pretendimet e presidentit Roig. Gjyqtari Gil Manzano akordoi një penallti të diskutueshme në favor të Real Madrid, pikërisht në minutën e 73’, teksa Villarreal kryesonte në ato momente me rezultatin 2-1, kur topi preku krahun e Brunos brenda zonës. Mbrojtësi kishte shumë pak kohë në dispozicion për të lëvizur dorën e tij, ndërkohë që nuk bëri asnjë lëvizje të qëllimtë në drejtim të topit. Por pavarësisht kësaj, arbitri Manzano drejtoi gishtin e tij për nga pika e bardhë e penalltisë, për të akorduar një 11-metërsh që u shndërrua në gol nga Cristiano Ronaldo, për të barazuar shifrat në 2-2.

“Të gjithë ju e dini këtë. Topi nuk e goditi atë tërësisht në dorë, por në krah dhe në shpatull. Gjithçka ndodhi pasi topi erdhi nga një përplasje me një tjetër shok të ekipit. Unë nuk mendoj se ishte një penallti. Nuk e di nëse ai e sheh të verdhën më mirë se të bardhën. Ai vendim për akordim të 11-metërshit e shkatërroi lojën. Është e domosdoshme të qartësohet nëse një rikoshet është apo jo penallti. Unë nuk mendoj se është. Nga ana e Real Madrid pati një reagim fantastik, por nuk po flasim në lidhje me një penallti të padrejtë që u mundësoi atyre të riktheheshin në lojë. Unë nuk i kam thënë asgjë arbitrit Gil Manzano. Ai e di se çfarë të bëjë. Një rikoshet nuk mund të jetë prekje e topit me dorë”, deklaroi Roig, i cili në mënyrë ironike pretendoi dhe aludoi gjithashtu se vendimi i gjyqtarit favorizoi “Los Blancos”. Një mendim ky që është ndarë publikisht nga të gjitha mediat katalanase këtë mëngjes të hëne, pas rimëkëmbjes fantastike të Real Madrid, që shënoi tre gola në 30 minutat e fundit të takimit, duke bërë që të rimarrin kreun e klasifikimit.

SHPËRNDAJE