TIRANË, 3 tetor/ ATSH/ “Media duhet t’i prijë ndërtimit të një miqësie të re, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit midis popujve tanë”. Kjo ishte bindja që shprehu drejtoresha e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Armela Krasniqi në nisje të fjalës së saj në konferencën ndërkombëtare me temë “Serbët dhe Shqiptarët – Në cilin drejtim?”, organizuar në Tiranë nga ATSH dhe agjencia serbe e lajmeve Tanjug.
“Më lejoni të shpreh bindjen time të fortë se roli i medias në forcimin e urave të komunikimit dhe të kuptimit të njëri-tjetrit është i pazëvendësueshëm dhe fillon në radhë të parë mes nesh, pra, mes vetë komunitetit të gazetarëve”, theksoi Krasniqi, ndërsa shprehu kënaqësinë e veçantë që priste mysafirët serbë në Tiranë, pas mikpritjes që ata treguan në konferencën e parë të 10 korrikut në Beograd.
“Ne të gjithë biem dakord se e ardhmja jonë nuk duhet e nuk do të jetë më një e ardhme e konfliktit. Ne të gjithë biem dakord se rruga e projektuar Durrës – Prishtinë- Nish duhet të jetë një rrugë e miqësisë dhe e shkëmbimeve ndëraktive mes dy vendeve tona. Gjithashtu, ne të gjithë këtu biem dakord kur e shohim të ardhmen e dy vendeve tona brenda familjes europiane”, tha ajo, duke shtuar se sidoqoftë, ashtu siç thotë një fjalë e urtë shqiptare “nga e thëna në të bërë ka në mes një det të tërë”. “Ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm se, ndonëse marrëdhëniet tona sot janë në përmirësim të vazhdueshëm, duhet ende të adresojmë disa sfida kyç për të ardhmen”, shtoi Krasniqi.
Në këtë drejtim, tha ajo, ne mund të bëjmë shumë edhe shumë më mirë. ATSH është e angazhuar për raportimin e së vërtetës. Dhe, jo vetëm të vërtetës sonë, por edhe të vërtetës së palës tjetër, pasi është thelbësore për të ardhmen tonë që të kuptojmë sa më mirë njëri-tjetrin”, theksoi Krasniqi.
Drejtoresha e ATSH-së vuri në dukje se lajme të deformuara vazhdojnë të ekzistojnë në mediat tona.
Në Serbi, sërish ka artikuj lidhur me kërcënimin e të ashtuquajturës “Shqipëria e Madhe”. Ende ka shume raportime negative, apo keqinterpretime lidhur me vendin tonë, politikat tona etj.. Nga ana tjetër, edhe në portalet në Shqipëri hasen interpretime jo të drejta të fakteve si shkrime dedikuar faktorit destabilizues të Serbisë në Ballkan.
“I konsideroj shkrime të tilla nga të dy palët janë vërtet për të ardhur keq”, tha ajo.
“Për shkak se kam punuar në media për më shumë se 20 vite, një gjë mund ta them me siguri të plotë: Nuk njoh asnjë serb, i cili ka vizituar Shqipërinë, dhe asnjë shqiptar, i cili ka vizituar Serbinë, dhe të mos ketë mbetur i mahnitur nga bukuria dhe trashëgimia unikale që kanë dy vendet tona.
Ne mund të bëjmë shumë për të evidentuar çdo arritje e hap, sado të vogël, që thyen paragjykimet, promovon miqësinë dhe ndërveprimin mes nesh. Në këtë mënyrë kemi vendosur një gur të fortë në themelet e të ardhmes që e ndajmë sëbashku në këtë hapësirë të Ballkanit Perëndimor.
Mjafton të lundroni në internet dhe të kuptoni se sa e vështirë është të gjeni një lajm lidhur me faktin që vitin e kaluar të dy vendet tona kanë arritur rekordin absolut të shkëmbimeve tregtare.
Një tjetër fakt zyrtar interesant ka lidhje me turizmin. Përveç disa revistave të specializuara si “Turisticki Svet”, në Serbi është e pamundur të gjesh faktin se mbi 50.000 qytetarë serbë kaluan këtë vit pushimet në Shqipëri.
Pikërisht kjo revistë theksonte ”duke shkelur me sukses paragjykimet, një numër gjithnjë e më i madh qytetarësh serbë kanë zbuluar anën e mirë të Vendit të Shqiponjave dhe popullit të tij mikpritës. Shqipëria ia ka dalë të zërë vendin e saj në tregun global të turizmit si një destinacion i ri, i pazbuluar dhe i sigurtë, mbi të gjitha një vend autentik, oferta e të cilit është thjesht e ndryshme nga të tjerët””, theksoi Krasniqi.
Por, nënvizoi ai, “e them me shumë keqardhje këtë, realiteti ka qenë shpeshherë më i vështirë për t’u parë nga media, si në Shqipëri edhe në Serbi, sesa nga njerëzit e thjeshtë”.
“Për këtë arsye, bindja ime e patjetërsueshme është që media mund të bëjë më shumë për të shkruar për një të ardhme nën simbolin e bashkëpunimit, në vend që t’i fryjë konflikteve historike që na kanë mbajtur peng për një kohë kaq të gjatë.
Shembujt pozitivë gjenden këtu, pasi dy vendet tona kanë shumë për të ofruar. Nuk ka dyshim qe kemi ende shume kundërshti. Patjetër që ka dy qëndrime të ndryshme të dy qeverite tona lidhur me Kosovën”, theksoi Krasniqi.
Së fundmi, Krasniqi vuri në dukje se në Beograd ishte përpjekur të fliste nga zemra duke treguar për herë të parë historinë e saj personale, atë të gjyshit të djemve të sa, vjehrrit të saj, i cili u burgos dhe u detyrua të linte Kosovën në rininë e hershme tij. “Një tjetër mik i pranishëm këtu, Ben Andoni, një përkthyes i shkëlqyer i letërsisë serbe në gjuhën shqipe, ka pesë njerëz të gjakut, shumë të afërm të vrarë në Kosovë”, tha ajo.
“Megjithatë këto dhimbje të së kaluarës nuk janë shndërruar në një pengesë për të apo për mua dhe gjykoj se pa e mohuar të kaluarën, ne duhet të ecim me shikimin përpara për hir të fëmijëve tanë”, përfundoi drejtoresha e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Armela Krasniqi. /j.p/