Këshilli i Sigurisë së Kosovës sot mbajti mbledhjen urgjente të ftuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në cilësinë e tij të kryesuesit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

 

Mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurisë së Kosovës adresoi situatën politike dhe të sigurisë në vend, duke analizuar në hollësi veprimet e fundit legjitime të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e masave të reciporicitetit kundër Serbisë në pikat kufitare veriore dhe vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

 

Si përmbledhje e diskutimeve dhe në përputhje me rrethanat e krijuara, Këshilli i Sigurisë së Kosovës, aprovoi rekomandimet e mëposhtme për agjencitë shtetërore të sigurisë të Republikës së Kosovës:

 

1. Këshilli i Sigurisë së Kosovës konsideron se veprimet e agjencive shtetërore të sigurisë së Republikës së Kosovës në veri të vendit, për sigurimin e zbatimit të masave reciproke tregtare me Serbinë, si dhe vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në atë pjesë të territorit të Kosovës, janë plotësisht legjitime dhe në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi;

 

2. Këshilli i Sigurisë së Kosovës kërkon nga të gjitha agjencitë e sigurisë së Republikës së Kosovës që të koordinojnë aktivitetet e tyre shumë ngushtë për të siguruar zbatimin e plotë të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës;

 

3. Këshilli i Sigurisë së Kosovës rekomandon që agjensitë shtetërore të sigurisë së Kosovës, poashtu të koordinojnë veprimet e tyre me mekanzimat nderkombëtarë, që janë prezent në Kosovë dhe që kanë kompetenca në fushën e sundimit të ligjit. Ky koordinim duhet të bëhet gjithmonë vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës;

 

4. Këshilli i Sigurisë së Kosovës, kërkon nga agjencitë shtetërore të sigurisë së Kosovës që ta mbajnë në shkallën më të lartë nivelin e gatishmërisë për çdo nevojë të ndërhyrjes me të gjitha mjetet në dispozicion në rast të cenimit të sovranitetit shtetëror dhe rendit të brendshëm kushtetues të Republikës së Kosovës;

 

5. Këshilli i Sigurisë së Kosovës kërkon nga të gjitha agjencitë shtetërore dhe nga ministritë relevante të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të koordinohen dhe të ndërmarrin veprimet e domosdoshme që t’i dalin në ndihmë qytetarëve që jetojnë në veri të vendit. Kjo ndihmë, duhet të jetë e përqëndruar në sigurimin e nevojave për ushqim dhe medikamente mjekësore, me qëllim të evitimit të çfarëdo krize humanitare atje;

 

6. Agjencitë Shtetërore të sigurisë së Kosovës, duhet të koordinojnë veprimet e tyre me mekanizmat relevant ndërkombëtar për të zhbllokuar rrugët dhe për të siguruar levzijen e lirë për qytetarë dhe mallra. Përderisa, nuk bëhen plotësisht të lira për qarkullim rrugët e bllokuara, duhet të hapen koridore të reja që mundësojnë furnizimin e qytetarëve më artikuj elementarë;

 

7. Këshilli i Sigurisë së Kosovës garanton qytetarët e Republikës së Kosovës se do të kryejë të gjitha obligimet e veta kushtetuese dhe njëkohësisht fton qytetarët që të bashkëpunojnë ngushtë dhe të kenë besim të plotë në agjencitë shtetërore të sigurisë për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës;

SHPËRNDAJE