Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Agim Ademi përmes një postimi në facebook ka njoftuar se ka humbur një mik të çmuar.

Ja postimi i plotë i z. Ademi

Në prag të festës së Bajramit ka ikur në përjetësi miku im, njeriu i vlerave të mëdha dhe punëtori i jashtëzakonshëm i futbollit, Bajram Neziri.

Me ikjen nga kjo botë të Bajram Nezirit, familja humbi njeriun më të dashur, miqtë një shok të përhershëm, derisa futbolli i Kosovës një punëtor me vlera të mëdha.

Me Bajramin kishim raporte jo vetëm profesionale, por edhe miqësore. Futbolli na lidhi që nga ditët e para të mëvetësimit. Profesionalizimi dhe guximi i tij ishin shumë të nevojshme në atë periudhë të okupimit për futbollin e Kosovës, pasi çdo gjë ishte përmbysur nga regjimi serb i asaj kohe.

Zhvillimi i futbollit dhe i çdo veprimtarie tjetër në atë kohë ishte më shumë çështje patriotizmi dhe rezistence sesa çështje sportive. Në mesin e atyre që e kishin guximin dhe vullnetin për të nisur një epokë të re të futbollit ishte edhe miku im Bajrami, i cili me dijen dhe përvojën e tij ndihmoi në vendosjen e akteve normative dhe të sistemit të garave të futbollit të pavarur.

Që nga viti 1991 Bajram Neziri nuk rreshti asnjëherë së punuari me përkushtim në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe për organizimin sa më të mirë të saj, edhe pse në disa periudha nuk kishte as kushte elementare për punë.

Ideali i tij dhe i shumë bashkëkohësve triumfoi. Liria erdhi dhe organizimi i Federatës së Futbollit të Kosovës vazhdoi në kushte dhe rrethana tjera, por me mision tjetër, atë të ndërkombëtarizimit.

Me Bajramin e patëm fatin që t’i gëzoheshim së bashku anëtarësimit në UEFA e FIFA. Ishte i lumtur që tërë ajo punë e bërë nën kushte të jashtëzakonshme prej shumë veprimtarëve të futbollit u kurorëzua me anëtarësim në familjet evropiane dhe botërore të futbollit.

Edhe pas pensionimit, ai, gjithnjë ishte afër futbollit dhe i ndiqte me entuziazëm të madh ndeshjet e Kombëtares së Kosovës, por edhe garat e kampionatit vendor dhe çdo herë ishte prej të njerëzve të parë që na përgëzonte për sukseset e arritura.

Kudo ku shkonte Bajrami gëzonte respekt maksimal, sepse atë e kishte fituar me punën e tij profesionale dhe të palodhshme ndër dekada.

Sot në këtë ditë pikëllimi për të gjithë ne, e kujtoj me respekt e krenari kontributin e tij të jashtëzakonshëm për futbollin e Kosovës.

Jam i sigurt se nga futbolli ai nuk do të ndahet kurrë, do të na përcjellë e mbështesë edhe nga lart dhe çdo sukses i joni do ta bëjë atë të ndihet i qetë dhe i lumtur, andaj jemi të obliguar që të punojmë edhe më shumë dhe njerëzit tanë që dhanë shumë për futbollin t’i bëjmë të pushojnë të qetë.

Lamtumirë miku im!

A.A.

SHPËRNDAJE