Nga: Shkodran H. ISMAILI
Publicist. Preshevë
E nderuara zonja kryetare

Sapo mbarova së dëgjuari fjalimin tënd publik që e mbaje me rastin e zgjedhjes kyetare e Komunës së Preshevës. Dhe të t’them të drejtën, përfitova bindjen se jeni jo nga ajo PVD (dhe PDSH me koalicionin etj) që e njohim deri më tani (një PVD e cila bën presione përmes drejtorëve tuaj, të punësuarve profesionist në institucionet tona për t’ia marrë zyret e punës, ani pse fëmijët tanë mbesin pa trajtim adekuat pedagogjik arsimor), por nga ndonjë parti politike e shteteve perëndimore me kulturë politike të afirmuar, dhe për befasinë tonë, me gjasë dhe Skandinave!
Fjalimi nuk ishte dhe pa logjikë, madje ai ishte mbresëlënës dhe kishte një strukturë të mirë përmbajtësore, e sidomos kur përmendje të kaluarën historike dhe figurat tona (edhe pse kishte që i kishte harruar) gjë që ashtu dhe është, me disa përjashtime të vockëla!? Mirëpo, përmbajtja e tij në mbi tetëdhjetë përqind ishte utopiste, madje dhe jorealiste e për të mos thënë se në shumë dimensione e tejkalon dhe utopizmin e Tomas Morit dhe ëndërrave të tij për një jetë ndoshta dhe jashtëplanetare!? Struktura përmbajtësore e tij i përkiste së kaluarës historigrafike, pa çka se përpara vetes kemi një mal me probleme dhe fillimisht, si drejtues komune na duhet domosdo një menaxhere e suksesshme për llomin e përditshmërisë sonë, se sa, kush e di çfarë niveli filosofik e profili akademik!
Gjithashtu, në fjalim mendoj se disa prioritete e përparësi ishin ngatërruar me disa tjera! Ndoshta dhe në të ardhmen ke për të na shpalosur një program qeverisës me prioritete parimore, sic janë arsimi, shëndetësia (primare e sekondare) , ambienti, burimet johumane e ato humane, kultura materaile dhe jomateraile, ajo artistike, ekonomike e financiare (krijimi i vendeve të punës), prioritetet e shoqerisë me rininë e shumë e shumë të tjera.
E nderuara zonja kryetare
Mora të të përgjegjem (sepse besoj se një përgjegje del thellësisht nga një ndërgjegje), sepse ngrysem në mbrëmje e gdhihem në mëngjes me dertin e Preshevës sime të dashur dhe perspektivës së saj, dhe nuk e keni vetëm ju dertin e saj. Madje, do tingëllonte pak sa edhe kjo utopiste e çmenduri fare, sa që, ‘as pasardhësit e mi nuk i kam dert aq shumë’ sa “qytet-shtetin” tonë ( apo siç e quanë literatura gjermane die unsere Weltstadt), – pra Preshevën dhe emrin e saj të dashur!
Presheva ndoshta dhe mund të mos ketë parë fjalime më të bukura (jo të mira) por jam thellësisht i bindur se ka parë kryetarë e drejtues akoma dhe më pragmatist se juve dhe me shumë gjasë ky i fundit ishte i tillë (përjashto disa gjërave si gabime politike) i cili ju qas problemeve si të tilla.
Nejse, fjalimit i mungonte dimensioni rajonal politik, pra përmasa e përfshirjes tërësore të truallit etnik të ish Kosovës Lindore apo e quajtura Luginë e Preshevës, e për të përmendur figura dhe më të fuqishme të kësaj përmase siç janë nga Medvegja (plaga ynë e gjakosur të cilën nuk e përmende fare), nga Bujanoci etj figura të cilat do ta kishte vlejtur ti përmendje.
Kur i përmendje këta figura të mëdha historike (e që për habinë dhe më të madhe e përmende dhe profesorin Ibrahim Kadriun i cili akoma është gjalle dhe të cilit ju PVD bësoj se me pak përjashtime nuk dëshironi t’ja dëgjoni zërin) kisha përshtypjen aty për aty se: ju nuk jeni ajo PVD së bashku me PDSH që ia humbët krejtësisht vlerën Referendumit, e varrosët atë dhe nuk e realizuat Autonominë politike, si rezultat i miopisë politike, koncepteve jopolitike e joparimore, të brenshme dhe të jashtme, përmes bartjes së ‘armiqësisë politike’ ndërvllazërore e jo aty ku duhej, përmes luftës së pakompromis të zhdukjes me cdo kusht të njëri tjetrit si oponent etj.
E themeluar Këshillin Kombëtar (dhe duhej të themelohej), por s’po dëgjohet kurr tanimë zëri i Kuvendit të tri Kuvendeve si shkalla më e lartë institucionale e demokracisë konsultative emancipuese dhe pretendonit Autonomi Kulurore përmes një Reviste e cila edhe cilësinë redaktuese e gazetareske e kishte të dobët (se lëre më hapësirën/rrethin kulturorë, letrarë, historikë etj) dhe mendonit se Autonomia Kulturore realizohet përmes vetëm një Reviste, duke anashkaluar shtylla të rëndësishme institucionale autonomiste, sic është p.sh. arsimi që për tridhjetë vite së bashku me PDSH-në e bëtë copë e grimë në Preshevë e rrethinë, dhe jeni përgjegjëse për karakterologjinë katastrofale të tij, nivelit të mësimëdhënësve jorelevant absolutisht dhe duke përjashtuar dhe kuadro të mirëfilltë profesional, vetëm e vetëm pse nuk ju shkonte për shtati ‘parimësisë politike’ që ju kishit vendosur, shëndetësisë së dobët dhe me shumë defekte, mosthemelimit të Teatrit, një biblioteke e cila qysh nga themelimi pas LDB s’kishte asgjë të standardeve bashkëkohore dhe shumë e shumë tjerave.
Ka tridhjetë vite që ju të dyjat, pra partitë më të vjetra që me inatin, kryenecësinë bajate, cikërrimësinë, thashethemizmin e juaj, grykësinë e pangopësinë dhe lloj lloj të bëma, e keni sjellë një situatë aq mjerane sa që vec përgatitjes së valixheve dhe mësimit të gjermanishtes për të ikur nuk na ka mbetur më asgjë! Thjesht, përmes një menaxhimi të dobët, keni sjellur një gjendje, ‘te jesh a të mos jesh’ për qytetarin e këtij nënqielli!
E përmede se diskriminohemi nga shteti sepse kemi tjetër përkatësi identitare me të, e që nuk është e saktë në shumë e shumë raste! Më shumë shifeni armikun brenda llojit tuaj dhe vetes poashtu (një armik që e keni instaluar me dekada, dhe demonizuar njëri tjetrin) të bëmave tona të përditshme, kultivimit të një armiqësie bajate politike etj.
Llomin dhe përditshmërinë tonë nuk vie askush nga Beogradi të na sjell këtu, gjendjen e mjerueshme në arsim, kulturë, ambient, komunikacion, shoqëri, dhe kontaminimin e komunikimit politik me një gjuhë antihumane e antidemokratike, si prodhim e reflektim i yni i koncepteve të shtrembëruar dhe ‘gjendjes së pistë shpirtërore’ për tjetrin, askush nuk na solli nga askund. Pra, me një fjalë, fajtorin gjeje në mesin tonë, dhe këtë në shumë dimensione ish oponenti juaj politik (lexo: Shqiprim Arifi) është munduar ta thot (si rezultat i gjendjes reale në të cilën ju ka gjetur kur fillimisht erdhi nga Gjermania) por që ju me propagandën bajate e fabrikimet perfide ‘mediale’ i shtrembëronit deklaratat e tij dhe oponentëve tjerë, sikur me qëllim duke insistur se ‘fajtori e armiku’ vie nga jashtë! Jo, asnjë Kala nuk është kalbur e rrënuar nga jashtë, të gjitha historikisht një Kalë Troje e kanë patur përbrenda, qoftë dhe duke u maskuar për ca kohë e ndonjë herë!
Poashtu, përmende dhe me një seriozitet të madh e të shtuar se, – ‘tani më nuk do kemi një pushtet të teledirigjuar nga gishtat e Beogradit’, duke harruar kështu se ju, pra partia juaj jeni në pjesë e sistemit parlamentar të Vucicit dhe të tjera dhe e keni legalizuar e politikisht legjitimuar atë. Mirëpo, keni harruar se edhe partneri juaj i koalicionit para pak kohe ja dha një mirënjohje Vucicit (dhe që sot e kësaj dite nuk e dihet se për c’mirënjohje e falënderim e kishin fjalën). Prandaj, problemi nuk qëndron krejtësisht të formalizat, sa te përmbajtja e veprimit politik.
E nderuara zonja kryetare, – ndoshta dhe mund të mos i marrish seriozisht këto kritika dashamirëse publike (drejtuar dhe prijësve tjerë politikë), ndoshta dhe mund të mos e marrish mundin e ti lexosh këto rreshta, por një gjë duhet ta dini, se relevanca dhe pesha politike e filosofike e këtyre rreshtave ka përmasë shumë të thellë kuptimore e kundruese politike!? Zatën, jam mësuar të mos ma vënë vëshin brenda (si rezultat i reflektimit të dobët edukativ e kulturor!) për të dalur gjithnjë më i fuqishëm jashtë saj, në rrethet intelektuale e akademike vendore dhe ato jashtë!
Tani, për fund, të uroj shumë fat e suksese dhe një punë të mbarë, juve dhe qeverisjes në vazhdim, por kam bindjen dhe kam konstituar thellësish gjykimin politik emancipues se Presheva ( nuk jam unë i vetëm) ka marrur me një hov të madh tatëpjetën titanike dhe me qasjen e deritanishme, shpejt do ta gjejm veten o në fund të atlantikut të fundosur, o së bashku në gërmadhat e harresën historike si fundrrinë e saj! Politika është fati i popullit.
Merr dhe zgjedh/zgjidh, tërhiq e mos e këput!!!
Me shumë respekt e dashamirësi
Shkodrani

SHPËRNDAJE