qebreiiNAILE EJUPI

Është bërë pothuajse një muaj që nga vendimi i përfaqësuesve serbë që të ngrijnë pozicionin në Parlament dhe Qeverinë e Kosovës, për shkak të miratimit të Ligjit për Trepçën duke vlerësuar këtë hap drejt mbrojtjes së interesave dhe pronës serbe në Kosovë.

Ndërsa tashmë dy ministrat serbë, Lubomir Mariq dhe Dalibor Jevtiq kanë thënë se do t’u kthehen institucioneve nëse kthimi i tyre paraprihet me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Deklaratat e tyre kanë sjellë shumë reagime dhe për këtë kishte reaguar edhe kryeministri, Isa Mustafa duke thënë se nuk ka dekret për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, që ata kërkojnë.

Sipas Mustafës, serbët duhet t’i kthehen punës së rregullt në qeveri për të shkruar statutin e Asociacionit, por ai kurrsesi nuk do të bie pre e kushteve të tyre.

Në anën tjetër, këshilltari i Kryeministrit, Bajram Gecaj ka thënë se zyrtarët e Listës Serbe do të takohen me Kryeministrin kur të jenë të gatshëm, prandaj ata presin, ndërsa sipas tij asociacioni është obligim ligjor dhe do të bëhet në kohë dhe rrethana të përshtatshme.

“Si këshilltar i KM për komunitete, unë kohe pas kohe takohem me zyrtarë të Listës Serbe. I kemi ftuar në takim me KM dhe ata na kanë thënë se do ta bëjnë këtë posa të jenë të gatshëm, pas konsultimeve të brendshme. Ne nuk ua kemi vërë “lakun në fyt” për këtë, por po presim. Ne kemi obligim ligjor të themelojmë Asociacionin e Komunave me shumice Serbe, dhe këtë do ta bëjmë në kohën dhe rrethanat e përshtatshme” deklaroi Gecaj.

Gecaj shtoi se ky Asociacion nuk do të materializohet dhe statusi i tij do të bëhet kur do të mbisundojnë rrethanat deri diku normale dhe një komunikim i ndërsjellët.

“Megjithatë, ky asociacion nuk do të materializohet nëse nuk kemi paraprakisht apo në të njëjtën kohë shuarjen e të gjitha strukturave paralele. Për të punuar në statutin e asociacionit duhet të mbisundojnë rrethana deri diku normale dhe komunikim të ndërsjellë, diçka që po na mungon tani” pohon Gecaj.

Përkundër deklaratës së ministres për Dialog, Edita Tahiri, që kishte thënë se asociacioni nuk do të rinegociohet, Gecaj u shpreh se ata do ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte thënë se kjo marrëveshje nuk është në përputhje me kushtetutën e Kosovës,  prandaj Qeveria duhet ta formojë një asociacion mirëpo në përputhje me nenet e kushtetutës.

“Puna e këtij statuti do të fillojë kur të krijohen këto kushte,  dhe kornizat e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese do të respektohen në plotësi” shtoi Gecaj.

Kurse opozita thotë se ata do të vazhdojnë të mos e pranojnë këtë marrëveshje.

Sipas partisë më të madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje ky është edhe një kushtëzim tjetër i Listës Serbe që ata janë formuar vetëm t’i sabotojnë institucionet e Republikës së Kosovës.

Koordinatori i sekretarëve të Vetëvendosjes, Nol Nushi, thotë se ky kushtëzim i Listës Serbe nuk është as i ri as i çuditshëm.

Sipas Nushit, politika e Qeverisë është e nënshtruar nga Lista Serbe rrjedhimisht politikave shoviniste të Beogradit.

“Nuk është as i ri e as i çuditshëm kushtëzimi nga Lista Srpska për një Qeveri, e cila u formua duke u kushtëzuar nga i njëjti subjekt. Politika e kësaj qeverie i është nënshtruar Listës Srpska, rrjedhimisht politikave shoviniste të Beogradit. Duhet ta kemi parasysh se Lista Srpska është formuar t’i sabotojë institucionet e Republikës së Kosovës. Qeveria ka bërë favore në vazhdimësi, për Listën Srpska dhe politikat e Beogradit, përmes negociatave të ndryshme. Këto favore sa shkojnë dhe e forcojnë rolin e këtij subjekti fatkeqësisht” shprehet Nushi.

Ai shton se Vetëvendosje i kundërshton këto projekte dhe nuk do të lejojnë bosnjëzimin e Kosovës.

“Ajo që ne mund ta themi është se jemi të vendosur që t’i themi jo këtyre projekteve që kjo qeveri përpiqet t’i imponojë, e që prekin sovranitetin e vendit. Ne nuk do të lejojmë me asnjë kusht bosnjëzimin e Kosovës. Çdo tentim i këtillë i qeverisë, i cili është antishtetëror e antikombëtar, do të përballet me rezistencën tonë të fuqishme” deklaroi Nushi.

Kundër marrëveshjes së asociacionit dhe kundër deklaratës së ministrave serb që kërkojnë themelimin e ASKS si kusht që të kthehen në Kuvend është edhe partia opozitare Nisma për Kosovën.

Anëtari i kryesisë, Nisma për Kosovën, Bilall Sherifi thotë se asociacioni përbën rrezik të rendit kushtetues në vend, prandaj ata asnjëherë nuk do të ndryshojnë qëndrim lidhur me këtë marrëveshje.

“Çdo përpjekje për të zbatuar marrëveshjen për asociacionin e komunave serbe përbën rrezikim të rendit kushtetues në vend sepse këtë marrëveshje Gjykata Kushtetuese e ka shpallur në 23 nene te saj këtë marrëveshje në kundërshtim me kushtetutën. Nisma në asnjë rast nuk do të ndryshojë qëndrim lidhur me këtë marrëveshje” shprehet Sherifi.

Njohësi i proceseve politike, Isa Mulaj, thotë se Serbia dhe Lista Serbe luajnë me institucionet e Kosovës, mirëpo pavarësisht gjithave asociacioni ka kompetenca ta bëjë shpërfilljen e pushtetit qendror të Kosovës.

“Serbia dhe Lista Serbe tani është në pozitë të luajë me institucionet e Kosovës si macja me miun, dhe këtë për shkakun e injorancës dhe tradhtisë së udhëheqësisë shqiptare. Asociacioni i Komunave Serbe, ndryshe i njohur si “Zajednica” (Bashkësia) faktikisht është i legjitimuar si subjekt i njësuar juridik në vete, për të cilin pjesëmarrja në institucionet e pushtetit qendror të Kosovës është vetëm çështje vullneti e dëshire, e jo detyrimi. Këtë ia mundësojnë thuajse të gjitha aktet juridike dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës, duke filluar nga decentralizimi në baza etnike, dhe plani i Ahtisarit në bazë të të cilit është shpallur pavarësia. Pavarësisht se çka thotë dhe çfarë interpretimi bënë Gjykata Kushtetuese, Asociacioni ka kompetenca ta bëjë shpërfilljen e pushtetit qendror të Kosovës sa herë që i teket, siç është rasti edhe në çështjen e kodit telefonik për Kosovën” shprehet Mulaj.

Sipas, tij Kosova mund t’i kthehet Serbisë edhe pse jo ndoshta në formën origjinale juridike por më ndryshe.

“ Pavarësisht se si do të rrjedhin ngjarjet me kodin telefonik, ekziston rreziku që Kosova mund t’i kthehet Serbisë, ndoshta jo në formën origjinale juridike siç ka qenë por pak më ndryshe, sepse njohjet e pavarësisë së Kosovës ka vite që janë ndalur dhe duket se nuk do të përparojnë më tutje. Me këtë situatë të status quo-së Kosova nuk mund të vazhdoj gjatë” shprehet Mulaj.

Përkundër deklaratës së Kryeministrit dhe zyrtarëve nga Kosova, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, përsëri ka thënë se pret që Prishtina menjëherë ta formojë ASK-në në përputhje me marrëveshjen.

“Ne presim që institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë, në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar sa më shpejt që të jetë e mundur të miratojnë dekretin mbi krijimin e ASK-së” ka thënë Gjuriq.

Gjuriq theksoi se gatishmëria e Prishtinës që më në fund të zhbllokojë procesin e formimit të Asociacionit të komunave serbe do të jetë një lloj testi i dëshirës dhe aftësive për të zbatuar marrëveshjet e arritura./BS

SHPËRNDAJE