Në Federatën e Futbollit të Kosovës vazhdojnë të jenë të kujdesshëm, ndonëse pengesën më të madhe e kanë kaluar. I pari i FFK-së, Fadil Vokrri, të hënën ka thënë se në organizatën që drejton janë të kujdesshëm para vendimit për pranim në FIFA që do ta marrë të premten Kongresi i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit

2

Vokrri maksimalisht i kujdesshëm, shprehej edhe javën e kaluar, para vendimit historik që u mor më 3 maj në Budapest.

Kosova më 3 maj u pranua në Konfederatën Evropiane të Futbollit (UEFA). Vendimin e mori Kongresi i UEFA-s, shkruan KD.

Tani në radhë është pranimi në FIFA. Nëse vendimi është pozitiv, atëherë vlerësohet se përfundon procesi i ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar dhe i sportit kosovar në përgjithësi.

Kërkesa e Kosovës për pranim në FIFA shumë më herët është përfshirë në agjendën e Kongresit, me opsionin që të hiqet prej saj në rast se vendimi për pranim në UEFA do të ishte negativ. Por me pranim në UEFA, konfederatën gjegjëse, vlerësohet se nuk ka pengesa të pakalueshme për pranim të Kosovës në FIFA.

Sajti “insidethegames” ka njoftuar se 25 anëtarët e Këshillit të FIFA-s do të vendosin nëse aplikacioni i Kosovës për t’u bërë anëtare e FIFA-s do të procedohet për Kongres. Por kjo pritet të jetë vetëm një formalitet. Këshilli është organ i ri i FIFA-s që e zëvendëson Komitetin Ekzekutiv. Udhëhiqet nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, që qysh javën e kaluar la të kuptohet se kërkesa e Kosovës do të jetë në rend të ditës në Kongres.

Që Kosova të pranohet në FIFA duhet që kërkesa e saj të marrë shumicën e thjeshtë të anëtarëve prezentë. FIFA aktualisht i ka 209 vende anëtare

SHPËRNDAJE