Lëvizja Vetëvendosje ka bërë gati të gjitha dokumentet që prezantojnë shkeljet e bëra nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, duke iu drejtuar me një kërkesë zyrtare kryesuesit të Kuvendit Komunal dhe shefave të grupeve parlamentare që të nisin iniciativat për shkarkimin e tij nga ky post.

Kjo letër i është dërguar nga selia Vetëvendosjes në Gjilan në fillim të muajit mars të këtij viti zyrtarëve të lartë të Kuvendit Komunal duke iu rikujtuar atyre se kanë obligim ndaj qytetarëve të cilët i përfaqësojnë që të marrin këtë vendim.

Në dokument janë përfshirë shkeljet duke nisur nga ndërrimi i vendbanimit që e ka bërë kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, i cili bashkë me familjen e tij jeton me familjen e tij në shtëpinë e tij që e ka ndërtuar në Prishtinë.

“Ai udhëton çdo ditë me veturë zyrtare dhe shofer të komunës, nga shtëpia e tij në Prishtinë për në zyrën e tij në Gjilan dhe anasjelltas, gjë kjo të cilën dinë të gjithë qytetarët e Gjilanit. Prandaj, e gjithë kjo është në kundërshtim me Statutin e Komunës dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. nenin: 77.2. d) të Statutit të Komunës, ku thuhet: ”Mandati i kryetarit të Komunës përfundon: …d) nëse ndërron vendbanimin në komunë tjetër dhe nenin 2.3.c. pika 4. të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, ku thuhet: ”Mandati i kryetarit të Komunës përfundon nëse ndërron vendbanimin në komunën tjetër.”

Vetëvendosje i ka përmendur edhe shkeljet e gjetura nga Auditori i Përgjithshëm i vitit që nga viti 2010 ku thuhet: “Konkluzionet e përgjithshme mbi menaxhmentin janë se menaxhimi financiar është shumë i dobët që shpie në humbje.”

Prona të paregjistruara

“Auditori pati gjetur që komunës i mungojnë regjistrat e plotë të pasurive, (nuk është mbajtur një regjistër gjithëpërfshirës i pronave, objekteve dhe pajisjeve); disa pasuri të komunës nuk posedojnë barkod, nuk zbatohen procedurat e prokurimit në pajtim me LPP, informacioni i shpalosur mbi pasuritë fikse dhe llogaritë e arkëtueshme nuk janë shpalosur në llogaritë financiare, nuk janë të plota dhe nuk janë të sakta”, shkruan në kërkesën e Vetëvendosjes duke u thirrur në të gjeturat e auditorit.

Aty thuhet se ka raste të dhënies së kontratës, operatorëve ekonomikë të cilët nuk e kanë plotësuar kriterin për veprimtari përkatëse sipas kërkesës, vonesat në ekzekutimin e punëve sipas kontratës, subjektet afariste janë pajisur me leje pune për ushtrimin e afarizmit, por nuk janë ngarkuar me taksë komunale, pagesat për leje ndërtimi shpesh bëhen me këste, por nuk ka afat kohor të qartë, se kur duhet paguar nga taksapaguesi, kontratat të panënshkruara, mosrespektimi i pagesave sipas kontratave, pagesa e subvencioneve në llogari bankare të paautorizuara nga thesari.

Kurse në fund të vitit 2010, nuk janë kthyer në thesar 31.283 euro, të mbetura në llogari të paautorizuar; Më 26. 11. 2010, në bazë të vendimit të kryetarit të Komunës nr. 2030/10, të datës 24. 11. 2010 nga llogaria e Teatrit janë tërhequr 35.100 euro dhe janë bartur në llogaritë e tri kompanive private, në emër të kthimit të huas që ka marrë Komuna.

Mirëpo, Auditorit të Përgjithshëm nuk i është ofruar dëshmi se Komuna ka huazuar më parë para nga këto tri kompani private”, ka gjetur auditori, shkruan në dokumentet e dorëzuara nga Vetvendosje.

Shkeljet në punësim

Vetëvendosja në kërkesën e saj shkruan se në vitin 2011 është konstatuar se kjo komunë i ka 431 të mbi punësuar. ”Komisioni Komunal për shqyrtimin e ankesave i themeluar me vendimin e kryetarit të Komunës, nr. 02-468/11, datë 13.09.2011, ka gjetur shumë shkelje gjatë shqyrtimit të ankesave, (këtu nuk hyjnë punësimet ilegale pa konkurs, ku bën pjesë edhe punësimi i kunatës së kryetarit të Komunës)”, shkruan në dokument.

Komisioni ka nxjerrë edhe vendime e konkluzione të cilat kryesisht nuk janë përfillur nga themeluesi i komisionit. Me shkeljet gjatë punësimit është marrë edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës dhe Gjykata. Për shkeljet ligjore në këtë sferë Komuna ka paguar dhjetëra mijëra euro.

Vetëvendosje posedon edhe shumë vendime e urdhëresa të KK të Gjilanit, të cilat dëshmojnë keqpërdorime të pozitave zyrtare në këtë komunë.

Në Raportin e Auditimit, për vitin 2011 lidhur me procedurat e tenderimit thuhet: ”Nuk zbatohen procedurat në pajtim me LPP.”Vetë kryetari i Komunës ka pranuar së Komuna iu ka borxh kompanive, mbi 2 milionë euro, që paraqet shkelje të procedurave të tenderimit. Vetëvendosjes i është bërë me dije edhe nga Agjencia Kundërkorrupsion, se ka nisur hetimet ndaj rasteve që ata kanë paraqitur.

Vetëvendosja numëron skandalet

-Kushtëzimi i shërbimeve të komunës me pagesën e faturave të ujit dhe plehrave, po ashtu është tejkalim i kompetencave.

-Vendimi i Kuvendit Komunal për ta paguar kryetarin e komunës dhe zyrtarë të tjerë, pasi ta përfundojnë mandatin është antiligjor.

-Mbipunësimi i 431 punëtorëve në komunë është shkelje e rëndë ligjore.

-Organizimi i ekskursionit për shërbyesit civilë, me mjete të taksapaguesve.

-Pushimi i punëtorëve në hotelin e drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport. Në të njëjtin hotel kryetari i dërgon edhe maturantët në ekskursion.

-Financimi i ndërtimit të ndërtesës së universitetit dhe pagesa e qirasë për fakultete, edhe pse neni 20 i Ligjit mbi Arsim të Lart në Republikën e Kosovës e parasheh që shkollimin e lart (universitar) e financon Ministria për Arsim. Ky financim po ndodh në kohën kur shumë shkolla në komunën e Gjilanit mësimin e zhvillojnë në tri ndërrime e ora e mësimit zgjat 30 minuta.

-Këmbimi i tokës së komunës me AKP, 10m/2 të komunës janë dhënë për 1m/2 të AKP-së.

-Mosinteresimi për kthimin në pronësi të tokës së Komunës, të privatizuar nga AKP-ja.

-Subvencionime të panevojshme si: pagesa e ekskursioneve të shërbyesve civilë nga buxheti-Futja e komunës në borxhe (rreth 10 milionë euro).

-Investimet e përsëritura për një kohë të shkurtër në projekte të njëjta si: dy projekte të sinjalizimit të rrugëve të qytetit brenda dy vjetëve, secili projekt ka kushtuar mbi 100.000 euro. Projekti ideor i “Fidanishtes është përsëritur dy herë brenda vitit, rinovimi i Drejtorisë së Kadastrës pastaj prishja e tij, e shumë raste të tilla.

-Lejimi i ndërtimeve të larta pa leje ndërtimi ose pa i paguar obligimet e komunës, pa i respektuar normat mbi hapësirat e domosdoshme të gjelbëruara.

-Nënshkrimi i kontratave të PPP-së që e kanë dëmtuar komunën.

-Inicimi dhe zhvendosja e përmendoreve të Dëshmorëve të Kombit, përpërfitime materiale, në mënyrë të paligjshme.

-Humbja e donacioneve: Të “TIKA-së”, “GEKOSIT” etj. (Zëri)

SHPËRNDAJE