Veriun, ndaras nga Kosova Lindore

Partia Demokratike e Kosovës kërkon që çështja e problemit të Kosovës Lindore të zgjidhet ndaras dhe të mos përfshihet në dialogun e nisur mes Kosovës dhe Serbisë. Këto komente i ka bërë sot nënkryetari i PDK-së, Rrustem Mustafa pas takimit me drejtues të Shoqatës “Vatra” nga Presheva.

Megjithatë, nënkryetari i partisë që udhëheq me pushtetin në Kosovë ka deklaruar se kjo parti mbështetë nismat e Qeverisë së Kosovës, lidhur me këtë pjesë.

Mustafa ka thënë se gjatë takimit me përfaqësuesit e shoqatës “Vatra”, kanë biseduar për problemet me të cilat po ballafaqohet popullata në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

“Mirëkuptuam hallet dhe dertet e tyre. Ne përkrahim të gjitha angazhimet që i ka ndërmarr Qeveria e Kosovës. Inkurajuam vëllezërit tanë që të gjejnë mënyrat se si të bëhen pjesë e ndihmesës së shtetit serb për të zgjedhur problemet një nga një që ballafaqohen atje dhe që të kenë mundësi të kërkojnë edukim sa më të mbarë për vendasit tanë që janë atje”, ka thënë ai.

Sejdullah Kadriu, kryetar i Shoqatës “Vatra” të Preshevës, takimin me nënkryetarin e PDK-së Rrustem Mustafa e ka vlerësuar të qëlluar dhe pozitiv, por ka shtuar se nga ai, janë sugjeruar që problemin e Kosovës Lindore ta kërkojnë ndaras nga veriu i Kosovës.

“Ne kemi kërkuar edhe më herët tek të tjerët si zëvendës kryeministri tek kryeparlamentari dhe sot tek nënkryetari i PDK-së, por në një mënyrë apo tjetrën ne kemi kërkuar vetëm për bisedimet eventuale që të futet në agjendë edhe problemi i Kosovës Lindore. Sado që sot nga nënkryetari kishim një sugjerim që problemi i Kosovës Lindore të jetë një problem në vete dhe të zgjidhet brenda mundësive dhe agjendës që do të kërkojmë nga Beogradi dhe BE-ja që të zgjidhet si problem në vete dhe që mos të ketë ndërlidhje Kosova Lindore dhe pjesa e Mitrovicës”, ka thënë ai.

Mustafa, e sheh si obligim që shqiptarët si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri të përkujdesen dhe t’i ndihmojnë vëllezërit e tyre në këtë pjesë, porse problemin e Kosovës Lindore dëshiron ta trajton ndaras prej problemeve të brendshme të Kosovës.

“Kanë obligim shqiptarët në Kosovë edhe në Shqipëri për të përkrahë dhe përkujdes për ambientin ku jetojnë gjithë shqiptarët. Por, nuk ka ndërlidhje mes procesit negociator që do të zhvillohet për problemet brenda vendit tonë, si në Mitrovicë dhe problemet tjera që duhet zgjidhen në rajon me shqiptarët”, ka thënë ai.

Kryetari i shoqatës “Vatra”, e cila veprimtarin e saj e zhvillon në Gjilan, ka thënë se nga nënkryetari i PDK-së, Rrustem Mustafa kanë marrë premtime se do të përkrahen kërkesat e shqiptarëve të kësaj pjese, pasi që nga pushteti lokal në Gjilan nuk e kanë pas një përkrahje të tillë.

Sipas drejtuesve të shoqatës “Vatra”, problem kryesor mbetët kthimi i shqiptarëve në shtëpitë e tyre, duke shprehur kështu shqetësimet e tyre për boshatisjen e Malësisë së Bujanocit, por edhe mundësinë e shpërnguljes edhe nga Presheva dhe Medvegja.

Për këtë arsye Sadullahu ka thënë se nga nënkryetari Mustafa, kanë kërkuar edhe hapjen e një zyre ndërlidhëse e cila do të ndihmonte në aspektin kulturor, sportiv, pse jo edhe tregtar, pasi që Kosova ka problem jashtëzakonisht të madh në këtë aspekt.

Po ashtu, temë e bisedimeve, sipas Sadullahut, ka qenë edhe çështja e lëvizjes së lirë, pasi që marrëveshjet e arritura mes Prishtinës dhe Beogradit për lëvizje të lirë nuk po respektohen.

Këto takime të “Vatrës” po zhvillohen në vazhdën e takimeve që kjo shoqatë ka pasur më herët edhe me kryeparlamnentarin Jakup Krasniqi, zëvendëskryeministrin Hajredin Kuqin. Po ashtu, nga drejtuesit e kësaj shoqate u bë e ditur se në ditët e ardhshme do të takohen edhe me përfaqësues të partive tjera si të pozitës ashtu edhe të opozitës. /kosovapress/


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni