Dje, më 6 shtator 2012, në Prishtinë, në moshën 87 vjeçare ndërroi jetë veterani i arsimit shqip Qerim R. Qerimi nga Presheva.

U lind në Preshevë më 1925. Shkollën fillore e kreu në gjuhën serbe, mësimet fetare i vijoi në Medresen e Preshevës. Normalen dhe Akademinë pedagogjike-degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, pa shkëputje nga puna, i kreu në Shkup.

Punën edukative-arsimore e filloi në vitin shkollor 1950/51 në Gerajt. Punoi edhe në Lluçan të Bujanocit, në Norçë, Preshevë dhe në Gjimnazin “Skënderbeu” të Preshevës, ku u vlerësua lartë kontributi i tij edukativo-arsimor. U pensionua më 1986. Në shkollën fillore të Preshevës qe ndihmësdrejtor dhe drejtor shkolle.

I ndjeri Qerim Qerimi i takon familjes intelektuale Qerimi nga Presheva, me në krye, vëllau e tij Hilmi Qerimi,i ndjer, i cili ishte ndër mësuesit e parë të shkollës shqipe më 1945.

Veterani i arsmit shqip u varros sot, më 7 shtatot 2012, me nderime familjare, me nderime të ish nxënësve të tij dhe bashkëatdhetarëve të Preshevës në varrezat e qytetit të Preshevës.

Dheu i qoftë i lehtë dhe zoti e shpërbleftë për punën edukative-arsimore në gjuhën shqipe./ Xh.S.

SHPËRNDAJE