USAID ndihmon me grante për ide biznesi

Në tregun e punës në Kosovë, çdo vit hyjnë afërsisht 25 mijë të rinj, përderisa krijohen vetëm 3 mijë vende të reja pune. Për të ndihmuar në këtë drejtim, është i angazhuar edhe USAID-i, duke ndarë grante për ide biznesi.
Për të zbutur sadopak papunësinë e madhe në Kosovë, është angazhuar edhe USAID-i përmes stimulimit të ndërmarrësve të rinj me ndarje të granteve për idetë e tyre. Në një ceremoni rasti, drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Maureen Shauket potencoi papunësinë e madhe dhe nevojën për të ndryshuar gjendjen:
“25 mijë të rinj hyjnë në tregun e punës çdo vit në Kosovë, ndërkaq që vetëm 3000 vende pune krijohen. Kjo nënkupton se 8 njerëz konkurrojnë për një vend pune. Për këtë qëllim USAID-i ka prioritet iniciativat për punësimin e të rinjve”, tha Shauket.
Krijimi i vendeve të reja të punës, për të papunët që për çdo vit i shtohen tregut, është i vështirë, pranon ministrja e Tregtisë e Industrisë Mimoza Kusari Lila.
“Të krijosh vende të punës për 20 mijë deri 30 mijë të rinj çdo vit dhe të jenë të kualifikuar këta, është një punë dhe ngarkesë e madhe. Jo për faktin se nuk është e mundur por për faktin se duhet të gjithë ato ide dhe kreacione që ata i kanë të kanalizohen në vendin e drejtë”, tha Kusari Lila.
Në këtë drejtim, Kusari Lila uroi 18 përfitues të granteve, të cilët sipas saj kanë krijuar punë për vetveten e tyre. Ndërkohë, janë mbi 200 ndërmarrës të tjerë që janë në pritje të përfitimit të Granteve nga USAID-i.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni