Unioni i gazetarëve në protestë kundër dhunës

Në emër të Unionit të Gazetarëve, kreu i tij, Aleksandër Çipa, kërkoi nga krerët e policisë vënien sa më shpejt para përgjegjësisë së personit që ushtroi dhunë mbi gazetarët, teksa ata kryenin detyrën. Sipas tij, akti i rëndë shpreh qartë vështirësitë dhe rreziqet me të cilat përballen çdo ditë gazetarët në Shqipëri.

Kërkohet vënia para përgjegjësisë e agresorit të gazetarëve: Dashamir Biçaku, Bledi Gilaj dhe Thimi Samarxhi

Unioni i Gazetarëve ka reaguar dje për dhunën dhe presionin e ushtruar ndaj tre gazetarëve nga truproja e pronarit të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, Charls Bouri. Protesta në të cilën kanë marrë pjesë dhjetëra gazetarë të medias të shkruar dhe asaj vizive, është zhvilluar përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës, aty ku një ditë më parë Dashamir Biçaku, gazetar i gazetës “Shekulli”, u godit në fytyrë, ndërsa gazetari Bledi Gilaj, i gazetës “Shqip” dhe Thimi Samarxhi i “Gazetës Shqiptare” janë kërcënuar nga truproja, ende i paidentifikuar nga policia kryeqytetase. Në emër të Unionit të Gazetarëve, kreu i tij, Aleksandër Çipa, kërkoi nga krerët e policisë vënien sa më shpejt para përgjegjësisë së personit që ushtroi dhunë mbi gazetarët, teksa ata kryenin detyrën. Sipas tij, akti i rëndë shpreh qartë vështirësitë dhe rreziqet me të cilat përballen çdo ditë gazetarët në Shqipëri. Ndërkaq, tre gazetarët janë shprehur të vendosur t’i shkojnë deri në fund kësaj çështjeje, në mënyrë që ajo të mos shndërrohet në një precedent, e që askush të mos guxojë të cenojë apo vërë në rrezik jetët e gazetarëve, të cilët çdo ditë përballen me presione dhe vështirësi gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. Mesditën e së premtes, teksa tre gazetarët prisnin jashtë ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të kontaktuar me Charls Bouri, janë sulmuar nga truproja e tij. Sapo drejtori i fabrikës së çimentos ka dalë nga dera e qytetarëve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, gazetarët e kanë pritur në trotuar, duke e fotografuar. Pa e kuptuar, tre gazetarëve u kanë ardhur nga pas dy badigardët e drejtorit të fabrikës, duke u drejtuar te gazetari Dashamir Biçaku, nëse kishte bërë fotografi ndaj eprorit të tyre. Në atë kohë, gazetari Biçaku e ka pohuar një fakt të tillë dhe një nga badigardët i ka tërhequr krahun, me qëllim për t’i marrë aparatin fotografik. Biçaku nuk e ka lejuar një fakt të tillë, kështu që truproja e drejtorit të fabrikës së çimentos e ka goditur në fytyrë. Menjëherë dy gazetarët e tjerë janë afruar, në ndihmë të kolegut. Në ato momente, dhunuesi i ka kërcënuar të tre dhe bashkë me truprojën tjetër kanë futur në mes Charls Bourin dhe janë larguar me shpejtësi me një makinë fuoristradë “Toyota”, me targa të Tiranës. Aida Malaj


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni