Standardet e garantimit të aplikimit të gjuhëve të komuniteteve në Kosovë janë në përputhje të plotë të të gjitha konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit evropian ku komunitetet me përqindje modeste në popullsi kanë të drejtën e aplikimit të gjuhës së tyre në nivel qendror e lokal, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e inaugurimit të Bordit për Politika të Gjuhëve.
Zyra Civile Ndërkombëtare e mirëpret inaugurimin e sotëm të Bordit për Politika Gjuhësore nga Qeveria e Kosovës si hap të parë drejt themelimit të Zyrës e Komisionarit për Gjuhë në kuadër të Zyrës së kryeministrit.
Përveç në rrafshin ligjor, Qeveria e Republikës së Kosovës ka institucionalizuar garantimin ligjor me atë praktik të gjuhëve. Garantimi që qytetarët të kenë mundësi të komunikojnë drejtpërdrejt me autoritetet qendrore dhe lokale në cilëndo gjuhë zyrtare është kërkesë thelbësore për t’u mundësuar atyre qasje të papenguar në shërbimet publike. Prandaj, të gjitha shërbimet dhe dokumentet publike që ofrohen nga institucionet qendrore duhet të dorëzohen në të dyja gjuhët zyrtare. Nga Kuvendi i Kosovës si institucioni më i lartë ligjvënës, në mbledhjet e komisioneve dhe transkriptet e seancave të Kuvendit, mbledhjet e qeverisë etj., e deri tek komunat më të vogla, e kanë të garantuar te drejtën e përdorimit te gjuhëve, dhe siç me të drejt paraqet edhe iniciativa e qeverisë për themelimin e institucionit të komisionarit për gjuhë – ketë te drejte e kanë në funksion të tyre – theksoi Kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e inaugurimit të Bordit për Politika të Gjuhëve.

Kryeministri pasi i ka njoftuar të pranishmit me procesin, tha se qeveria e ka hapur konkursin për Komisionarin, dhe presin që ky proces të përmbyllet me sukses, ndërsa e ka inauguruar Bordin për Politika të Gjuhëve, i cili do të jetë përgjegjës për të siguruar mbështetje institucionale për zhvillimin, zbatimin dhe fuqizimin e politikave për gjuhët.
Ai tha se që nga Pavarësia e Kosovës, pjesë e pandashme e projektit të shtetndërtimit dhe vizionit tonë të Kosovës shumetnike, në integrimin e komuniteteve ka qenë dhe është Plani i Ahtisarit.
Ai tha se filozofia e Qeverisë në promovimin dhe avancimin e të drejtave të komuniteteve është bazuar në dy shtylla: Së pari në të drejtën për jo-diskriminim në gëzimin e të gjitha të drejtave dhe lirive të njeriut; Dhe së dyti, të drejtën për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit përmes lirisë për të praktikuar dhe shfrytëzuar ato aspekte të veçanta dhe të patjetërsueshme të jetës së tyre si komunitete, me theks të veçantë kulturën, fenë dhe gjuhën.

“Prandaj edhe promovimi i të drejtave të komuniteteve, karshi filozofisë sonë, ndër tjera është bërë e mundur në kuadër të garantimit të drejtave të tyre gjuhësore”, tha Thaçi. Ai tha se si garantues i standardeve të gjuhës do të jetë zyra e Komisionarit të Gjuhëve, mbrojtjes së të drejtave gjuhësore për komunitetet.

SHPËRNDAJE