Një “mysafir” jo i rëndomtë e ka vizituar të martën kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, për ta pyetur atë rreth disa zhvillimeve që kanë ndodhur dymbëdhjetë vjet më parë në Kosovë.

Ky “mysafir” është prokurori i EULEX-it, Maurizio Salustro, i cili në retrospektivë dëshiron të dijë se cili ka qenë roli i Fatmir Limajt gjatë luftës në Kosovë, e posaçërisht roli i tij në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me çka është marrë ai në këtë kohë dhe cili ka qenë roli i Limajt në hartimin e operacionit “Shigjeta”.

Siç shkruajnë mediet, Thaçi kësaj here nuk është pyetur si politikan, por si drejtues politik i UÇK-së dhe si ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.

Intervistimi i Thaçit në cilësinë e dëshmitarit është bërë pasi një gjë të tillë e ka kërkuar shoku i tij i luftës, Fatmir Limaj, përmes mbrojtësve të tij.

Limaj, bashkë me nëntë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuzohen për krime lufte të kryera gjatë luftës në fshatin Kleçkë dhe gjykimi ndaj tyre pritet të nisë të premten në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

SHPËRNDAJE