http://www.botasot.info/img/hashim-thaqi-1.jpgKryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, iu ka kundërpërgjigjur Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e ka akuzuar se nuk po përfill festat kombëtare, duke thënë se festat kombëtare janë mbi çdo ideologji politike dhe askush nuk duhet të pretendojë të bëjë fushatë elektorale me flamurin dhe festën kombëtare.

Ai këto komente i bëri të dielën, duke iu përgjigjur interesimit të mediave lidhur me akuzat e Vetëvendosjes në adresë të Qeverisë se nuk është duke përfillur festën e 28 Nëntorit-Ditën e Flamurit Kombëtar.

“Festa e flamurit dhe festa e Pavarësisë së Shqipërisë, është mbi çdo parti politike, mbi çdo profil politik, mbi çdo ideologji dhe mendoj se për festën kombëtare dhe i ftoj të gjithë të ofrohen me njëri-tjetrin, të respektojnë njëri-tjetrin dhe në asnjë rrethanë askush mos të pretendojë të bëjë fushatë elektorale me flamurin kombëtar dhe festën kombëtare”, ka thënë Thaçi.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka adresuar kritika ndaj Qeverisë së Kosovës, e cila sipas tyre ka anashkaluar festën e 28 Nëntorit, duke e llogaritur atë si festë e njërit prej komuniteteve të Kosovës.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, festës kombëtare e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, nuk llogaritet si festë zyrtare e Republikës së Kosovës, por vetëm si festë e komunitetit shqiptar të Kosovës.

Ndërkohë që Qeveria e Kosovës deri më tash nuk ka paraparë asnjë aktivitet për këtë festë, komuna e Prishtinës ka paraparë një varg aktivitetesh kulturo-artistike.

Sipas kalendarit të festave zyrtare të Republikës së Kosovës, 28 Nëntori hyn në kuadër të Ditëve Memoriale. Në këto festa bëjnë pjesë edhe 12 Qershori-Dita e Paqes, 6 Marsi, Dita e Përkujtimit dhe e Respektit për Veteranët, 23 Prilli Dita e Turqve, 8 Prilli Dita e Romëve, 15 Shkurti Dita e Ashkalinjve, 28 Shtatori Dita e Boshnjakëve dhe 6 Maji Dita e Goranëve.

SHPËRNDAJE