Terroristi Brejvik me dosje për shqiptarët në Maqedoni

Terroristi i masakrës në Norvegji, Andres Bering Brejvik ka ndjekur edhe zhvillimet në Maqedoni dhe konfliktin e vitit 2001, ku në manifestin e tij ka mbledhur të dhëna për shqiptarët.

Ai në një dokument të përpiluar të ashtuquajtur si manifest “2083 – Deklarata Evropiane për Pavarësi” disa herë ka përmendur Maqedoninë.

Brejvik ka shkruar se numri i shqiptarëve në Maqedoni arrin 25 për qind, me ç`rast ka shtuar edhe se në këtë vend është e pranishme multikultura ku sipas të dhënave janë edhe 40 për qind komunitet mysliman. Sipas tij, në rast se këto trende do të shënonin rritje atëherë Maqedonia në të ardhmen do të përballej me probleme serioze.

Terroristi i masakrës në Utoya ka shkruar edhe për Ali Ahmetin, ku ai nënvizohet si themelues i UÇK-së dhe se tek shqiptarët ka një hierarki familjare.

Ai përshkruan se Ahmeti është nipi i Fazli Veliut, njërit nga themeluesve të UÇK-së në Kosovë. Gjithashtu theksohet se familja e Veliu është e lidhur siç thuhet me “klanin Jashari”, anëtarë i së cilit është edhe Hashim Thaçi”.

Në këtë manifest të vrasësit përmendet edhe Ligji për përdorimin e simboleve kombëtare të bashkësive etnike, ku bëhet e ditur se shqiptarëve mund të përdorin flamurin e tyre në vendet ku janë shumicë, raporton INA.

“Ky vendim erdhi si rezultat i luftës shtatë mujore në vitin 2001 ku ishte përfshirë UÇK-ja dhe presionet e Evropës, që gjithmonë janë të gatshëm për të kënaqur kërkesat e myslimanëve”, deklaron Brejvik në manifestin e tij.

Në një pjesë të manifestit, ai shkruan se lideri terrorist i Al-Kaidas, Ajman Al – Zavahiri udhëheq me kampe të stërvitjeve, fabrikave të armëve për shkatërrim masiv si dhe rrjeteve të pastrimit të parave dhe drogës në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Bullgari, Turqi dhe Bosnjë. Ai ka shkruar se ka me dhjetëra mijëra simpatizues dhe përkrahës të tij për të luftuar së bashku, duke përmendur edhe përkrahësit në Maqedoni. Në listën e partive të djathta nacionaliste në Maqedoni ai ka përmendur vetëm VMRO-Partinë Popullore.

Vrasësi Brejvik, një ultranacionalist norvegjez vrau rreth 90 veta, 80 prej të cilëve në ishullin Utoya në afërsi ë Oslos, kishte përgatitur një manifest prej 1500 faqesh, për të dhëna të ndryshme në botë, kryesisht kundër islamit, të cilin e publikoi disa orë para kryerjes së masakrës.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni