Mjekja që ngurroi të lëshonte vendin e punës dhe t’i ofronte ndihmë pacientit që ndodhej jashtë, është suspenduar sot, informon Ministria e Shëndetësisë (MSH).
MSH ka njofton se drejtorët e poliklinikës kanë pezulluar përkohësisht nga puna mjeken Ksenija Mojsovska për shkak se në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore nuk i ka ofruar ndihmë pacientit, i cili ndërroi jetë përpara godinës së këtij institucioni shëndetësor.
“Deklarata e mjekes se në pajtim me nenin 17 nga Ligji për Mbrojtje Shëndetësore nuk guxon ta lëshojë vendin e punës është tërësisht e paqëndrueshme dhe nuk korrespondon me këtë dispozitë. Në Ligjin për Mbrojtje Shëndetësore nuk parashihet askund që mjeku nuk guxon ta lëshojë institucionin shëndetësor. Përkundrazi, Ligji thotë qartë dhe pa ekuivokë se çdo punonjës shëndetësor ka për obligim t’i ofrojë ndihmë personit që ndodhet në gjendje rreziku të jetës”, thuhet në kumtesën e MSH-së.

SHPËRNDAJE