Shqipëria ka mbështetjen e BE-së

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto gjatë një bisede televizive u ndal në disa çështje, ku si e parë ishte pikërisht vizita në Tiranën zyrtare e Drejtorit të Përgjithshëm të Zgjerimit në Komisionin Evropian, Stefano Sannino.

Sipas tij, Shqipëria ka mbështetjen e BE-së në perspektivën evropiane dhe kjo u duk qartë në vetë interesin që ka shfaqur Sanino.

Madje, në vlerësimin e kreut të diplomacisë shqiptare takimet që zhvilloi Sannino nxorën në pah sukseset e Shqipërisë. Megjithatë, sipas tij, politika duhet të jetë e ndërgjegjshme për përgjegjësinë që ka për plotësimin e 12 kritereve, përmes të cilave kushtëzohet integrimi i vendit. Gjithashtu, gjatë fjalës së tij, kreu i diplomacisë shqiptare u ndal dhe në debatin mes pozitës dhe opozitës parlamentare për përfaqësimin e Shqipërisë në nivelin diplomatik.

Sipas ministrit Haxhinasto të gjitha emërimet janë kryer konform ligjit. Madje në këtë kuadër, Ministri i Jashtëm bëri me dije lidhur me hartimin e një paketë ligjore për t’ia kaluar për miratim Kuvendit, paketë e cila të mund të zgjidhë një herë e mirë debatin mes palëve, mbi një çështje të tillë, përfshirë këtu dhe emërimin e ambasadorëve.

Haxhinasto trajtoi edhe rolin e Shqipërisë si në procesin e njohjes së shtetit të Kosovës, ashtu dhe në rrugën e saj drejt BE-së. Njëkohësisht, vizita e ministrit Haxhinasto në Libi ishte një tjetër çështje e bisedës së tij në studio, ku shefi i diplomacisë shqiptare e cilësoi bashkëpunimin ekonomik mes vendit tonë dhe Libisë si mjaft fitimprurës.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni