Shqipëria, armë drejt Kosovës për muzeun e UÇK-së

Qeveria merr vendimin për dhuratën e armëve. Qëllimi është ekspozimi në një muze që pritet të ngrihet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës

 

 

Shqipëria do t’i dhurojë Kosovës një sasi armësh, të cilat do të ekspozohen në muzeun e UÇK-së. Vendimi është marrë dy ditë më parë nga qeveria shqiptare. “Këshilli i Ministrave i Republikës Shqipërisë vendosi për dhurimin Qeverisë së Republikës së Kosovës të një sasie armatimi jashtë nevojave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si kontribut i qeverisë shqiptare, me qëllim ngritjen e muzeut të luftës së UÇK-së”, thuhet në pikën një të vendimit, shkruan shqip.

 

Sipas këtij dokumenti në për zbatimin e vendimit ngarkohet ministri i Mbrojtjes. Ky vendim është marrë të njëjtën ditë, kur Aleanca Kuqezi akuzoi ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, se Muzeut të Beogradit ia ka dhuruar avionin e fundit luftarak “MIG”. Nga ana tjetër, mediat kosovare shkruajnë se në Kosovë nuk ka një nismë konkrete për hapjen e këtij muzeu të përfolur të luftës. Ideja për ngritjen e tij është përfolur më shumë se 3 vjet më parë. Kërkesa dhe vendimi për t’i dhënë këto armë, duket se vjen pas një rimarrje të kësaj ideje, ndoshta për zbatim konkret. Në një intervistë të dhënë në vitin 2009 për “Kosovapress”, ish-drejtori i Muzeut të Kosovës, Arbër Hadri, ka thënë se duhej themeluar një muze i veçantë me qëllim prezantimin e eksponateve nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Tre vjet më parë ai deklaronte se nga Muzeu i Kosovës ishte bërë një punë 5-vjeçare për mbledhjen e objekteve dhe dëshmive të luftëtarëve, ku theksonte se ishin gjetur eksponate tredimensionale që nga familja e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. “Duhet të jetë një muze i veçantë, i cili do të titullohet “Muzeu i UÇK-së”, por duhet të bëhet një punë e madhe në terren. Ne deri më tani kemi mbledhur 50 mijë eksponate dhe besoj që çdoherë ka hapësirë për më shumë”, deklaronte ai në 2009, në postin e drejtorit të Muzeut të Kosovës.

 

50 mijë eksponate

Më shumë se tre vjet më parë, është deklaruar se nga puna në terren, ishin mbledhur më shumë se 50 mijë eksponate që dëshmonin veprimtarinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Qëllimi ishte ekspozimi në muzeun që do t’i dedikohej kësaj lufte.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni