Shefi i diplomacisë kosovare z.Hoxhaj kërkon nga Ki-Moon të ushtroj presion mbi Serbinë

Shefi i diplomacisë kosovare z.Hoxhaj kërkon nga Ki-Moon të ushtroj presion mbi Serbinë

Në përmbyllje të vizitës në New York, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar të mërkurën një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon.

Ministri Hoxhaj e ka informuar Sekretarin e OKB-së për zhvillimet e fundit politike, ekonomike dhe sociale në Republikën e Kosovës, për përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të forcuar shtetësinë e brendshme dhe subjektivitetin ndërkombëtar.

Duke folur për gjendjen e sigurisë në tri komunat e veriut të Kosovës, ministri Hoxhaj ka kërkuar nga Sekretari Ban që të ushtroj ndikim mbi Serbinë për të hequr dorë nga mbështetja e strukturave ilegale, policore dhe paramilitare në veri të Kosovës.

“Situata në këtë pjesë të Kosovës është e tensionuar, barrikadat ende mbajnë të bllokuara rrugët. Stabiliteti i brendshëm dhe arkitektura e sigurisë në Ballkan varet nga situata në veri”, ka theksuar ministri Hoxhaj.

Në këtë takim, ministri Hoxhaj ka ritheksuar se Qeveria e Kosovës kërkon që në veri të ndalet dhuna, të ketë sundim të ligjit dhe zhbërje të strukturave të policisë, të sigurisë dhe ato paramilitare, të cilat veprojnë në kundërshtim me të gjitha dokumentet ndërkombëtare.

Hoxhaj e ka informuar sekretarin Ban edhe për dialogun teknik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ai ka theksuar se i gjithë kredibiliteti i këtij procesi është vënë në pikëpyetje, ngase Serbia nuk është duke i implementuar marrëveshjet teknike të arritura në Bruksel.

Nga ana tjetër, sekretari i Kombeve të Bashkuara e ka falënderuar ministrin Hoxhaj për vizitën dhe ka shprehur mirënjohje për progresin në Kosovë, si faktor i paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon. /Telegrafi/


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni