SERBIZIMI I KALASË SË PRESHEVËS

Kalaja e Preshevës, edhe pse i takon të kaluarës shqiptare, nga serbët e sotëm quhet Kalaja e Marko’s. Dy vjet më parë, nga Bashkia e Preshevës thuhej se, meqë Kalaja e Preshevës është një lokalitet jashtëzakonisht i çmueshëm arkeologjiko-historik, hulumtimi i saj do të jetë prioritet i institucioneve arsimore e kulturore lokale, ndërkaq dimensioni ekonomik i projektit do varej nga vizitorët e mundshëm. Por, deri më sot s’është bërë gjë në këtë drejtim.

Në një kodër mbi Preshevë ndodhet Kalaja e Preshevës. Nga qendra e qytetit nuk e vëren me sy, e për të shkuar deri lart s’ka rrugë të asfaltuar. Nuk ka as rrugë këmbësorësh, andaj të duhen afro 30 minuta ecje normale që të ngjitesh nëpër shtigjet e rrethuara me shkurre, bari të thatë, e herë-herë edhe me thera, shkruan BW.

Arsimtari i historisë në gjimnazin e qytetit, Qenan Ferati, është i pari që flet për të. Më shumë se dy a tri herë në vit, ai i ngjitet përpjetë kodrës deri në kala.

I nxehti përvëlues i korrikut e bën rrugën edhe më të gjatë, megjithëse ia vlen të kërkosh gjurmët shqiptare të një toke që prej dekadash është vënë në shënjestër të serbizimit të trashëgimisë. Këtij synimi nuk i ka shpëtuar as ky objekt i rëndësishëm iliro-dardan. Banorët e Luginës e quajnë kalaja e qytetit, ndërsa serbë ka kohë që e kanë bërë shprehi t’i thonë Kalaja e Marko’s. Jo rastësisht. Meqë shumica e shqiptarëve të Luginës janë myslimanë, emri Marko i jep kalasë një orientim ortodoks serb. Asnjë shqiptar nuk e përdor termin Kalaja e Marko’s. Kur pyeten për emrin e kalasë, tregojnë se janë serbët që përdorin këtë formë.

Kalaja ka sigurisht rreth 1,000 metra katrorë hapësirë, ndoshta edhe më shumë. Meqë nuk është bërë ndonjë studimi i plotë, dhe nuk është gërmuar rreth saj ose në “oborret” e brendshme, është e pamundur të përcaktohet se deri ku shkonin muret rrethuese. Dy vite më parë është hapur njëlloj shtegu që të çon në kala, ndonëse sot ai mezi duket. Kalaja ka një mur rrethues, me lartësi rreth 30 metra nga toka. Brenda saj ka një strukturë muri mbi tre metra të lartë, ndonëse është e paqartë se për çfarë shërbente. Vihen re edhe dy puse uji. Vende-vende muret janë rrënuar dhe gurët të hedhur.

Sipas banorëve dhe arsimtarëve të historisë, Lugina e Preshevës dikur u sundua nga romakët. Gjatë dyndjeve sllave, në shekujt VI dhe VII, në Luginë u ndërtuan disa kala për t’u mbrojtur nga barbarët sllavë. Nuk ka një datë të saktë të ndërtimit të Kalasë së Preshevës, por nga studimet e pakta për të cilat flasin banorët, ajo është më e hershme se shekulli VI-VII, kur në Ballkan erdhën sllavët, gjegjësisht serbët. Më herët Presheva shtrihej rreth e rrotull kalasë, e sot është shtyrë në një pjesë tjetër të Luginës. Vendbanimi tani ka zbritur në fushë dhe është zgjeruar. Gjatë rrugës për në kala syri të has në copëza qeramike, që shtrihen kodrës pa shpresë se arkeologë do t’i studiojnë. Mbetjet e mureve mbrojtëse të kështjellës qëndrojnë aty, për të treguar madhështinë e dikurshme dhe mjerimin e sotëm, edhe pse, të pastudiuara dhe pa mundësi studimi, mbase fshehin thesare.

Institucionet serbe s’janë marrë kurrë as me studimin e as me restaurimin e kalasë, thekson arsimtari i historisë, Qenan Ferati. Serbisë s’i ka interesuar kurrë as ndriçimi i historisë ilire, as i trashëgimisë së popullit nga i cili kemi gjenezën. Kjo gjë vetëm sa e rivërteton para tyre hershmërinë tonë në trojet ku ata janë të ardhur në shekujt VI-VII. Unaza e stoli tjera filigrani që janë gjetur në fshatin Zhunicë i takojnë kohës së perandorit August. Në Zhunicë e Preshevë janë gjetur edhe monedha të kësaj periudhe (viti i 35 pas Krishtit). Janë zbuluar edhe objekte e pajisje të ndryshme qeramike që i takojnë periudhës së lashtë parahistorike të vitit 3500 vjet p.e.s.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni