http://www.botasot.info/img/Rasmusen27t.jpgNdërkohë që serbët e rebeluar vazhdojnë të mos largojnë në tërësi barrikadat në veri, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, paralajmëron se organizata më e fuqishme ushtarake në botë nuk do të lejojë që tensionet e fundit në Kosovë “të kthejnë kohën mbrapa” dhe se KFOR-i për 12 vjet ka ndihmuar në krijimin e një ambienti të qetë.

Ai këto komente i bëri të enjten në Berlin gjatë një takimi me kancelaren gjermane Angela Merkel, të cilën e ka falënderuar për angazhimin e Gjermanisë në operacionet e NATO-s në Kosovë dhe Afganistan, është bërë e ditur në ueb faqen e Aleancës Veri-atlantike.

“Ushtarët tuaj po kryejnë punë shumë të mirë. Personalisht e kam parë kohë më parë në Kosovë. Gjatë 12 vjetëve të kaluar, KFOR-i në krye të cilit tash është Gjermania, ka ndihmuar në shndërrimin e njërës nga vatrat evropiane në një vend kryesisht të qetë. Ne nuk do të lejojmë që tensionet e fundit të kthejnë kohën mbrapa”, është shprehur numri një i NATO-s.

Ndryshe, pavarësisht kërkesave të KFOR-it, serbët në veri vazhdojnë të mos heqin në tërësi barrikadat e vendosura në rrugë, në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të Kosovës. Ata kërkojnë kthimin e gjendjes së para 25 korrikut, gjë e cila është hedhur poshtë kategorikisht nga Qeveria e Kosovës.

SHPËRNDAJE