PS: Do të mbrojmë me çdo mjet zgjedhjet e lira

 

Partia Socialiste ka kërkuar sot nga KQZ-ja zbatimin e Kodit Zgjedhor për emërimin e anëtarëve të KZAZ-ve të opozitës. Deputeti i PS, Armando Subashi tha sot për mediat se mazhoranca duhet të respektojë ligjet për zhvillimin e zgjedhjeve. Ndërsa ka shtuar se opozita është e vendosur të mbrojë votat me çdo çmim dhe ka kërkuar ndërhyrjen e OSBE-së.

“I bëjmë thirrje OSBE dhe partnerëve ndërkombëtarë të shprehen qartë dhe prerë për këtë situatë antiligjore, e cila jo vetëm nuk i shërben përmirësimit të frymës mes forcave politike, në respekt edhe të rekomandimeve të OSBE- ODIHR, por përkundrazi e thellon më shumë atë. Populli opozitar kësaj here do të mbrojë, me çdo mjet dhe me çdo çmim, zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të barabarta”, tha sot Subashi.

Subashi ka folur edhe për ftesën e bërë dje nga përfaqësuesi i PD-së, Patozi, duke theksuar se në të njëjtën kohë që vjen oferta, kreu i KQZ-së shkel ligjin.

“Ndërkohë që kryetari i grupit parlamentar të PD, fton kryetarin tonë të grupit për bashkëpunim dhe gjetjen e një gjuhe të përbashkët e vullnet të mirë në ndihmë të procesit zgjedhor, zoti Ristani me urdhër të Sali Berishës, po mban peng formatimin e KZAZ-ve. Ky është një fakt tjetër që Saliu dhe veglat e tij nuk duan të zhvillojnë në Shqipëri zgjedhjet të lira, të ndershme dhe të barabarta”, tha Subashi.

Ai shtoi se është e pakuptueshme që edhe pse kanë kaluar disa ditë ende nuk kemi një vendimmarrje nga KQZ lidhur me emërimin e komisionerëve të opozitës në ZAZ-në. “Kjo është një shkelje tjetër flagrante e ligjit, shumë më e rëndë se ajo e emërimit të të ashtuquajturve të pavarur apo nga shoqëria civile. I bëjmë thirrje Sali Berishës të heq dorë nga strategjia e manipulimit të zgjedhjeve edhe me mënyra të tilla, duke shfrytëzuar veglat e tij qorre, si Ristani me shokë”, tha Subashi.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni