“Presheva Jonë” uron akedemikun nga Medvegja me rastin e 95-vjetorit të lindjes

Në emër të redaksisë së agjencisë informative kombëtare “Presheva Jonë” profesor Ajeti pranoni urimet tona të sinqeta.  Jeta dhe veprimtaria shkencore e kombëtare e juaj ishte dhe po mbetet shembulltyre dhe synonim i së ardhmes sonë, të gjeneratave të reja për të ndjekur rrugën e juaj për relaizimin e synimeve të juaja , rikthimin e Medevegjës aty ku i takon dhe  meriton në Gadishullin Ilrik, pjesë e Kosovës Lindore me gjithë Preshevën e Bujanocit, ashtu siq u shprehët në intervistën e fundit për agjencinë informative kombëtare “Presheva Jonë” për cka po e botojmë me rastin e ketij përvjetori të juaji.

 

Një jubile i lavdishëm: Akademik Idriz Ajeti mbushi 95vjet

Bota shkencore shqiptare shënoi të shtunën 95-vjetorin e lindjes së akademikut Idriz Ajeti. Për herë të parë një dijetar shqiptar i afrohet aq shumë shekullit të jetës, shkruan NOA. Lumturisht, në këtë jubile të lavdishëm, ai zbret dhe ngjit përditë shkallët deri në katin e pestë të banesës së tij pa ashensor, gëzon shëndet të mirë, kthjelltësi mendimi, gjallëri krijuese dhe një vështrim optimist për të ardhmen, shkruan Zëri. Fjalëpak e punëshumë, ai i ka dhënë dijes e shoqërisë shqiptare një pirg me vepra dhe shembullin e madh të dijetarit të përkushtuar për të vërtetën shkencore, për dritën e diturisë, që shpie drejt lirisë…I. Ajeti është ndër lisat e lartë të kulturës dhe të fisnikërisë shqiptare. Dijetar i rysur, kërkues dhe mbrojtës i palodhur e i paepur i së vërtetës shkencore, prijatar në shumë fusha të albanologjisë, frymëzues dhe prind shpirtëror i nxënësve e studentëve të tij të shumtë, mik i dashur i zemrës i kolegëve e i bashkëpunëtorëve. Rrallëkush i ka dhënë aq shumë kombit dhe vendit të vet.

Rrallëkush u ka vënë shpatullat dhe gjoksin burrërisht punëve të mëdha për çështjen kombëtare, për kulturën shqiptare e për gjuhën shqipe si Idriz Ajeti. Emri i tij është i pandarë nga zhvillimi i arsimit dhe i shkencës në Kosovë. Në themelimin e Universitetit të Prishtinës dhe të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës roli dhe ndihmesa shkencore e organizative e Idriz Ajetit janë të pazëvendësueshme.

Idriz Ajeti u lind më 26 qershor 1917 në Tupallë të Medvegjës (Kosova Lindore). Ndoqi studimet e larta për gjuhësi në Zagreb e më pas në Padovë pranë albanologut Carlo Tagliavini; u diplomua për romanistikë në Beograd (1949), ku u specializua në albanologji pranë albanologut Henrik Bariç. Punoi si profesor i gjuhës e i letërsisë shqipe në gjimnazin e Prishtinës (1949-1953), dha mësim në Seminarin e gjuhës shqipe të Universitetit të Beogradit (1953-1960), ku mbrojti doktoratën për zhvillimin historik të së folmes së fshatit shqiptar Arbënesh pranë Zarës (Kroaci).

Drejtoi për 20 vjet katedrën e gjuhës e të letërsisë shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës që nga themelimi i saj më 1960. Si rektor i Universitetit të Prishtinës themeloi më 1974 Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili zhvillohet për vit në muajin gusht. Seminari i Prishtinës u bë shpejt një vatër joshëse për formimin e albanologëve të rinj nga e gjithë bota dhe qendër takimesh shkencore ndërkombëtare.

Ai vetë e kujton me emocion këtë ngjarje madhore: “Në vitin 1974, kur po zinim të vinim në jetë idetë dhe nismën rreth organizimit të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, zemrat tona mbusheshin me ndjenja gëzimi, në një anë, e, në anën tjetër, na shqetësonte një ndjenjë tjetër. A do t’i dilnim në krye asaj pune aq fisnike dhe dobiprurëse në përparimin e shkencave albanologjike? Në ato çaste shqetësimesh dhe pasigurie ne asnjëherë nuk na ka lëshuar zemra, duke pasur besim të ngulët në traditën dhe në dashurinë që punonjësit e shkencave albanologjike dhe të botës së jashtme kanë ushqyer për degë të ndryshme albanologjike”.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni