Drashkoviq, konsideron se është jo serioze të flasësh për një ndarje të Kosovës, pasi kjo mund të shkaktojë pasoja afatgjate dhe jo-stabilitet të tërë rajonit. “Kërkesat e disa liderëve të Preshevës dhe Bujanocit për një bashkëngjitje të këtyre dy komunave Kosovës, janë vetëm dëshira të tyre” ka thënë Drashkoviq.

 

Preshevë-Beograd/ AIK-Presheva Jonë

Ideja se Lugina e Preshevës duhet t`i bashkohet Kosovës dhe veriu i Kosovës Serbisë, ka ngjallur këto ditë reagime edhe të përfaqësuesve serbë lokalë, por edhe të atyre rajonalë.

Zëvendës kryetari i asamblesë komunale të Bujanocit, Stojança Arsiq, ka vlerësuar se Lugina e Preshevës që t`i bashkohet Kosovës është vetëm dëshira e disa politikanëve shqiptarë të këtij rajoni. Sipas, Arsiq bëhet fjalë për përfaqësues të së djathtës në Luginë të Preshevës, për të cilët, siç thotë ai, edhe ata vetë e dinë se nuk paraqesin asgjë dhe se kjo u shërben për politika ditore. “Shoqëri e vjetër, ide të vjetra, të vjetër po edhe aq sa qëndrimet që i dedikohen votuesve. Pjesëmarrësit e tubimit të Gjilanit të gjithë janë të djathtës politike shqiptare të cilët e dinë edhe qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare se Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, janë pjesë e Serbisë”, ka thënë Arsiq.

Në lidhje me deklaratën e kryetarit të komunës së Preshevës, se Lugina e Preshevës duhet t`i bashkohet Kosovës dhe Veriu i Kosovës Serbisë, është deklaruar edhe sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën të qeverisë serbe, Oliver Ivanoviq. “Kjo është një përfshirje artificiale në temë, e cila në asnjë mënyrë nuk përmendet. Bëhet fjalë për qëllimin e politikanëve nga Lugina e Preshevës për të forcuar pozitën e Prishtinës në bisedime, e cila në këto bisedime është shumë e keqe, duke pasur parasysh se kanë pasur zgjedhje problematike, raporti i Dick Marty, interesimi i papritur i gjykatës së Hagës – ka deklaruar Ivanoviq.

“Ky manovrim është një perde tymi për pozicionin e Prishtinës në bisedime, por nga ana tjetër problemet e qytetarëve të Serbisë në të gjitha zonat kufitare duhet të zgjidhen. Në të kundërtën, problemet me kohë mund të rriten dhe mund të eksplodojnë, dhe kjo është ajo që duhet të parandalohet, dhe kjo mund të parandalohen me zhvillim ekonomik dhe arsimim” ka thënë Ivanoviq. Ndërkaq, prefekti i Medvegjës, Slobodan Drashkoviq, ka deklaruar se ideja për ndarje të Kosovës dhe këmbim të Luginës së Preshevës me veriun e Kosovës është e pamundur.

Drashkoviq, konsideron se është jo serioze të flasësh për një ndarje të Kosovës, pasi kjo mund të shkaktojë pasoja afatgjate dhe jo-stabilitet të tërë rajonit. “Kërkesat e disa liderëve të Preshevës dhe Bujanocit për një bashkëngjitje të këtyre dy komunave Kosovës, janë vetëm dëshira të tyre” ka thënë Drashkoviq.

“Tregime të tilla mund të ndikojnë negativisht edhe në shtete tjera të rajonit. Nga ana tjetër, kërkesat që Presheva dhe Bujanoci t`i bashkohen Kosovës, janë jo reale dhe këtë e dinë edhe ata që thonë këtë”, ka thënë Drashkoviq, duke shtuar se Medvegja është një “histori në vete”. “Ne në asnjë mënyrë nuk jemi pjesë e asaj që quhet Luginë e Preshevës, pasi Medvegja jo vetëm me Bujaocin, po edhe më pak me Preshevën nuk ka kontakt territorial pasi na ndajnë dy qytete dhe një komunë, Vranja, Leskoci dhe Lebane” ka thënë Drashkoviq.

SHPËRNDAJE