Maqedonia Lindore është përfshirë nga vala masive e braktisjes nga të rinjtë maqedonas, por edhe të komuniteteve tjera, informon agjencia e lajmeve INA.

Pasaporta bullgare, studimet në Shkup dhe emigracioni janë faktorët kryesorë që detyrojnë të rinjt e këtij rajoni të braktisin vendlindjet e tyre për shkak të papunësisë, varfërisë dhe mungesës së alternativave jetësore dhe perspektivës, etj.

Nga të dhënat e mediave maqedonase bëhet e ditur se rreth 20 mijë banorë kanë braktisur këtë rajon gjatë 15 viteve të fundit.

Gazeta “Utrinski” në një shkrim të tillë shkruan se mbi 15 mijë të rinj kanë ikur nga pjesa lindore e vendit, që konsiderohet si rajon i varfër dhe pa perspektivë.

Në qytetin Makedonska Kamenica mbi 6 mijë banorë apo gjysma e qytetit janë jashtë vendit. Shumica prej tyre janë pajisur me shtetësi bullgare viteve të fundit dhe kanë ikur në emigracion.

Dimçe Anastasov, një pensionist i këtij qyteti thekson se nuk ka anëtarë familjesh në këtë qytet që nuk është pajisur me pasaportën bullgare dhe ka ikur në emigracion apo jeton në Bullgari. “Pasaporta bullgare në këtë rajon është shpresa e vetme për të rinjtë që gjejnë një rrugëzgjidhje dhe një perspektivë më të mirë”, nënvizon pensionisti maqedonas.

Mbi 140 fshatra të banuar me maqedonas në Maqedoninë Lindore janë shuar dhe nuk kanë asnjë banorë.

Shqetësimet për çdo ditë rriten për shkak se fshatrat edhe me pak banorë, tashmë janë shuar totalisht dhe një pjesë e madhe e tyre vazhdon trendin e shuarjes totale. Sipas një studimi të bërë nga mediat lokale maqedonase në pjesën lindore të vendit drejt shuarjes janë edhe mbi 455 fshatra të tjerë, kryesisht të banuar me maqedonas, turq, por edhe një pakicë shqiptare.

Banorët e fshatrave kryesisht i`a mësyjnë qyteteve, duke u përqendruar kryesisht në Manastir dhe Shkup. Por pjesë më e madhe ikën drejt vendeve të Evropës Perëndimore dhe kontinentet tjera.

Nga komunat qendrore të kësaj zone regjistrohen fshatra edhe me dy deri në tetë banorë, kryesisht pleq të moshuar , të mbetur pranë vatrave të tyre dhe që mezi mbijetojnë jetën.

Nga ana tjetër sipas statistikave të Entit Shtetëror të Statistikave, në rajonin e Pollogut, ku është dominuese popullësia shqiptare, mbi 28 për qind e banorëve jetojnë në qytet, ndërsa mbi 70 për qind janë të koncentruar nëpër fshatra.

SHPËRNDAJE