Pele shpërndan pica

Rio de Janiero, 12 korrik – Pele, legjenda e futbollit brazilian dhe një ndër futbollistët më të mirë të të gjitha kohëve, përveç sportit më popullor në botë, kyçet edhe në aktivitete të ndryshme. Ai ka provuar muzikën, këngën dhe aktrimin, megjithatë asnjëherë deri më sot nuk ishte shfaqur si një pizza man.

Kjo është iniciativa më e fundit e “O’Rei”-t, që pranoi menjëherë një fushatë marketingu të Santosit, klubit të tij të zemrës. Fillimisht, Pele iu bashkua punëtorëve të një picerie, ku nuk nguroi të ndihmonte specialistët që përgatisnin picat e shijeve të ndryshme.

Gjithashtu, ishte vetë Pele ai që merrte porositë me telefon nga tifozët e Santosit, që nuk e kishin idenë se me kë po flisnin. Më pas, ai veshi uniformën si një punonjës dhe shpërndau pica nëpër shtëpitë e atyre që kishin bërë porosi, transmetojnë mediet braziliane.

“Është hera e parë që e provoj këtë”, tha Pele në filmimet që tashmë kanë bërë xhiron e botës. Aty ish-sulmuesi legjendar shfaqet duke pyetur me kujdes klientët nëse e duan “picën me pulë apo djathë?”.

Më tej, kur shkon në shtëpitë e tifozëve, të cilët janë natyrshëm të emocionuar pasi kanë përballë idhullin e tyre, “O Rei” nuk heziton t’i kërkojë që të hajë edhe ai një copë pice, duke u thënë: “E kam përgatitur unë dhe është shumë e mirë”


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni