Biografi e shkurtër e autorit: Salim Memishi u lind më 21 tetor 1984 në fshatin Miratoc të Preshevës, Kosova Lindore. Mësimet e para i ka marr në vendlindje (Miratoc) dhe më pas ka studiuar në gjimnazin “25 maji” të Preshevës. Ka studiuar gjuhë dhe letërsi frënge në Universitetin e Prishtinës. në vitin 2007 botoi librin e parë me poezi “Shtegëtim i dashurisë”.  Sot ai studion në unieversitetin e Bernës në gjuhë agleze dhe frënge.

Nga Ajet NURO

Montreal, korrik 2012

Poezia “Orë pa akrepa” në video. Dua të falenderoj z. Armend Hoxha për kamerën dhe montazhin

Libri “Orë pa akrepa” është libri i tij i dytë. Salimi ka patur dhe ka dy pasione, pikturën dhe poezinë. Vjershën e parë e ka shkruar në moshën 13 vjeçare por kuptohet pa guxuar t’a recitoj nga frika se nuk ishte e bukur. Prishtinës ai i dedikon shumë gjëra përveç formimit profesional.

 

Ky është libri i dytë i autorit. Në 2007-n ai ka botuar “Shtegëtim i dashurisë”… Dhe kur lexon këtë libër të dytë ke dëshirë ti vësh një emër “Sinfoni dashurie” pasi fjala dashuri kumbon në çdo varg… Por, libri ka një titull edhe më intrigant. Libri titullohet “Orë pa akrepa”. Sapo dëgjon titullin e librit, ke dëshirën t’a imagjinosh një orë pa akrepa, të masësh kohën pa akrepat apo me lëvizjen e diellit. Nuk e dimë nga i ka ardhur frymëzimi poetit të titulloj kështu një nga poezitë e tij e nga ku krejt libri ka marr emrin, sidomos kur mendon se autori jeton në Zvicër dhe ai vend është simbol jo vetëm i orëve por simbol i të saktës. Sidoqoftë, duke lexuar librin, ke të bësh me një imagjinatë të pashoqe, një imagjinatë që s’njeh as kufij gjeografik e as kufij figurativ.

 

Përse bënë fjalë ky libër?

Për një libër me poezi është vështirë të thuash se ka vetëm një temë. Por libri « Orë pa akrepa » e ka një temë; dashurinë, dashurinë në të gjitha format e saj, dashuri e parë nga të gjitha këndvështrimet apo nëse do flisnim me gjuhën vizive moderne dashuria në këtë libër është përshkruar në 3D (tre dimensione…) Autori është i ri, si poet dhe si njeri por, duket se nuk i mungon as përvoja vargëzuese as përvoja jetësore. Le të kuptohemi, artistët e fjalës nuk kanë nevojë të provojnë gjithçka për t’a përpunuar dhe me artin e tyre të na e servirin ne konsumatorëve por sidoqoftë jeta e ka bërë Memishin të përqafoj njerëz, hapsira (qytete e fshatra), kohë të ndryshme dhe jo vetëm kaq por ai me mjeshtëri të madhe ia del t’i transmetoj tek lexuesi.

 

Perëndia e autorit?

Kohët e fundit më kanë rënë shumë libra shqiptarë, me poezi apo me prozë. Dhe jo të gjithë lexohen me ëndje. Madje ka nga ata që për mungesë kohe më presin t’i lexoj. Ndoshta edhe « Orë pa akrepa » do kishte pësuar të njëjtin fat… Por po ua them që në fillim se autori n’a ka bërë një grackë me poezinë e parë… Poezia e parë është një « bijou »… Ajo titullohet « luleborë » dhe në pozinë shqipe lulebora zë një vend të rëndësishëm. Unë po u shkruaj këtu vetëm tre vargje nga gjashtë dhe do t’a kuptoni pse e vlerësoj këtë poezi :

Luleborë aromë plotë

Unë dhe ti kemi një mot

Ne të dy besojmë në një zot

Së pari vargu i dytë jo vetëm është i përdorur si element në poezinë shqipe por edhe në këngë popullore si …ne të dy jemi vërsnikë / se kemi lindur një ditë… etj etj por më e bukura është se autori identifikohet në besim me luleborën. Të them të drejtën, nuk e kam pytur autorin se në çfarë zoti beson por duke e lexuar librin të krijohet bindja se ai (pavarësisht nga përkatësia fetare dhe besimi i tij në zot…) beson në dashurinë … dashuria është perëndia e tij. Por kjo zbulohet në vargun e katërt …ne njohim vetëm dashurinë…

 

Imagjinatë, figura dhe romantizëm …

Nuk dua t’u analizoj të gjitha poezitë por dua vetëm t’u sjell disa përshtypje nga ato që të ngelen në mendje teksa i lexon. Kështu në faqen 4 lexon :

…ndjehem ngrohtë n’jug e veri

Edhe në Antarktik po më shoqërove ti …

Nuk ka nevojë për koment, nuk mund të shprehet më bukur ngrohtësia që të ofron dashuria.

Salim Memishi është i dashuruar me gjithçka që bie era shqiptare. Ai i do qytetet e fshatrat e Shqipërisë marrëzishte sepse në shumë poezi duket ajo dëshirë për të prekur Shkodrën apo Shkupin, Tetovën apo Vlorën. Por, nëse ka një qytet që ai i falet, ai qytet e ka emrin Prishtinë. Dhe është e kuptueshme. Po të lexosh biografinë e autorit e kupton se ai aty ka kaluar vitet më të bukura, studimet, shokët, kafenetë, bibliotekat, poezitë, dashuritë e para… Sidoqoftë tek poezia “Shkup e Shkodër” autori me mjeshtëri përshkruan fatin e tij, fatin tim, fatin e të gjithëve që janë të gjallë dhe jeta i hedh sa në një vend në një vend tjetër:

…Ti ike në Shkup a Shkodër

Unë strugan jetoj në Ohër

As njeri në vend të duhur

Mu si letra mbështjellë me pluhur…

Tham që autori duket se ka përvojë përderisa na jep porosi dhe çfarë porosie …me vargje:

Në daçi lule pranvere

Lahuni në rreze dielli

E shi dashurie

(Porosi e dashurisë, faqe 14)

 

Një element që dua të ndaj me lexuesit është prania e elementeve të eposit shqiptar. Dikur kam lexuar një këngë, nga këngët epike ku thuhej …lamtumirë o krushq bujar / se unë do marr burrin e parë… Ndoshta nuk ka të njëjtën lidhje me këngën e eposit shqiptar por edhe Memishi në “Mos shko” kërkon t’a ndryshoj situatën në anën e tij:

Dasmës iki dhe kësaj pranvere

Thuaju krushqve se je sëmurë

T’mos mbjellin dimër në kohë vere

Nga zemër imja t’bie dhe ky gur…

Dhe heroi ynë, varësisht nga situata lutet e lutet. Thash më sipër se nuk e di në të përditëshmen e tij nëse autori lutet ose jo por e sigurtë është se ai i lutet dashurisë. Kjo duket kur ai zbulon se jo gjithmonë lutjet “dëgjohen”…”Lutjet s’bënë punë si më parë” (“Kasollë e braktisur”) E, kur lutjet nuk bëjnë punë, vjen zhgënjimi: Kam lindur në stinën e dashurisë/ e jetoj mes premtimesh boshe. (“Stina e dashurisë”). E më tej mund të themi që dashuria është e plotëfuqishme për autorin sa që ai ndihet plotësisht i varur “…Tashmë kam kujtimin tënd /E ti ke në duar jetën time…”

 

Gjuha e Salim Memishit

Gjuha e poetit Memishi është një gjuhë e fuqishme dhe tejet e pastër. Sigurisht për dikë që ka lindur në Jug, ndonjë fjalë i duhet e panjohur por të mos harrojmë se autori është nga Kosova Lindore. Pra, aty bie erë Presheve. Edhe njëherë duhet theksuar se elementët dialektor janë të rrallë. Dhe autori për të gatuar sa më bukur poezitë e tij nuk ka lënë elementë pa marr në këtë gatim kaq të shijshëm. Ëndrrat, shiu, era, i ftohti dhe i ngrohti, malet, lumenjtë, qytetet shqiptare dhe të botës i gjen aty. Një element stilistik gjuhësor që mua më duket shumë i fuqishëm në shprehjen mendimit poetik është përdorimi i disa fjalëve përkëdhelëse që i dëgjojmë rëndom në Jug të Shqipërisë. Po përmend këtu dy element që më kanë rënë në sy si djaloshare tek “Dilemë djaloshare” dhe zogëza tek “Zogëza e vetmuar”.

“Orë pa akrepa”

Poezia që ka pagëzuar edhe librin e Salim Memishit është edhe poezia më e fuqishme e këtij libri. Ora pa akrepa është mënyra për të n’a vjedhur kohën është shprehja për kohën e kaluar “përtej urës së Qabesë” siç thotë një këngë shqiptare. Për autorin, edhe dashuria është ndryshe në azil edhe martesa edhe koha…gjithçka është ndryshe…Dhe duket se ai ka parë tek dëshmon: “Pash dy akrepa të fshehur prapa kohës / I njoha, i pash të hënën në Pazar / në dinakëri secili më njohës / Bënin pazarllëqekohë për të marr…”

Duke e lexuar librin e Salim Memishit nuk ka se si të mos ngelesh i habitur nga një imagjinatë e pashoqe, nga figura që ngërthehen njëra me tjetrën. Madje kisha zgjedhur disa poezi për t’i riprodhuar këtu me qëllim që të ndaja kënaqësinë që të jep kjo poezi me lexuesit e Tribunës Shqiptare por në fund e kuptova që kisha zgjedhur shumë poezi dhe ndoshta më e mirë është t’u sugjeroj t’a lexoni këtë libër. Nëse jo, fiksojeni emrin e autorit dhe besoj se ai nuk e ka librin e fundit. Ndoshta do të lexojmë prej tij diçka edhe më të mirë…

 

 

 

SHPËRNDAJE