Mubaraku largohet nga pushteti dhe Egjipti

Presidenti i Egjiptit Hosni Mubarak ka dhënë dorëheqjen, njoftoi zëvendëspresidenti egjiptian Omar Suleiman.

Sipas njoftimit të bërë në televizionin shtetëror të Egjiptit, pushteti i tij do të kalojë në duart e këshillit të ushtrisë.

Ky njoftim erdhi ndërsa mijëra vetë qëndronin të grumbulluar në Kajro dhe qytete të tjera egjiptiane në ditën e 18 të protestave për të kërkuar dorëheqjen e zotit Mubarak.

Protestuesit reaguan me brohorima, valëvitje flamujsh, përqafime dhe buri makinash. “Populli ka rrëzuar regjimin,” thirrën ata.

Suleiman tha se Mubarak kishte dorëzuar pushtetin tek komanda e lartë e forcave të armatosura.

“Në emër të Zotit mëshirplotë, qytetarëve, në këto rrethana shumë të vështira në të cilat po kalon Egjipti, Presidenti Hosni Mubarak ka vendosur të largohet nga posti i presidentit të republikës dhe ka ngarkuar komandën e lartë të forcave të armatosura për të administruar çështjet e vendit”, tha ai.

Nuk ka detaje të tjera për mënyrën e qeverisjes në këtë periudhë tranzicioni. Gjatë ditës ushtria ka deklaruar se do të garantojë zbatimin e reformave dhe i bëri thirrje qytetarëve që t’i kthehen jetës normale.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni