Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka pritur sot në një takim futbollistin e njohur nga Kosova, Valon Behrami, i cili luan në ligën e parë italiane të futbollit, Serie A, te klubi Fiorentina, si dhe është përfaqësues i kombëtares së Zvicrës.
Duke e uruar për sukseset e mëdha të shënuara në karrierën e tij, ministri Krasniqi vlerësoi se Valon Behrami dhe shumë sportistë tjerë sidomos në futboll, kanë paraqitur një imazh të vërtetë të Kosovës. Ai falënderoi futbollistin Behrami për ndihmën që ka dhënë në afirmim të talenteve nga Kosova si dhe për lobimin e tij që klubet kosovare të marrin pjesë në turne të ndryshme ndërkombëtare. Ai tha se Behrami dhe plot futbollistë tjerë nga Kosova që luajnë në skuadra të mëdha evropiane, kanë qenë edhe një frymëzim për gjeneratat e reja në Kosovë. Ministri Krasniqi e njoftoi Behramin me sfidat që ka sporti i Kosovës sidomos si pasojë e izolimit. Gjithsesi, ministri shtoi se me vendimin e FIFA-s që Kosovës t’i lejohen ndeshjet miqësore ndërkombëtare tek sportistët, e në veçanti te futbollistët është ngjallur edhe më shumë shpresa për të qenë të barabartë më futbollistët nga e gjithë bota. Ky vendim, tha ministri, është një hap që ndihmon shumë në përmirësim të lojës dhe organizim të garave, e po ashtu sensibilizon dhe afirmon edhe më shumë çështjen e izolimit të sportit të Kosovës. Ai shprehu besimin se Kosova ka mjaft futbollistë që do të tregojnë paraqitje shumë të mira në përballje me kombëtare të njohura. Perspektiva e futbollistëve që luajnë në Kosovë do të rritet, tha ministri, duke shtuar se tashmë edhe investimet në infrastrukturë janë shumëfishuar. Ai e njoftoi futbollistin e kombëtares së Zvicrës edhe me projekte që pritet të realizohen gjatë këtij viti dhe vitin e ardhshëm, siç janë ndërtime të stadiumeve ndihmëse, renovim të stadiumeve të qyteteve, palestra dhe terrene futbolli, basketbolli e sporte të tjera në të gjitha qytetet e Kosovës. Nga ana tjetër, futbollisti shqiptar falënderoi ministrin për pritjen dhe gatishmërinë e madhe të treguar për bashkëpunim. Ai tha se ka përcjell në vazhdimësi rrugëtimin e Kosovës në çështjen e sportit. Behrami shtoi se Kosova ka shumë talentë dhe të rinjtë kanë vullnet për punë dhe theksoi nevojën për mbështetje më të madhe, duke premtuar se edhe ai do të japë kontributin e tij.

SHPËRNDAJE