PRESHEVË, 19 Janar/ATSH/ By Maela Marini   – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e akredituar në Beograd, ka dërguar përfaqësuesit e saj në Preshevë dhe Bujanoc, për të mësuar nga afër se me çfarë problemesh përballet populli i Luginës së Preshevës, sidomos pas zhvillimeve të fundit të tensionuara në kufirin Kosovë-Serbi.

Vlerësimi i gjendjes politike në Bujanoc dhe i zhvillimit ekonomik lokal ishin disa nga temat, që u biseduan gjatë këtij takimi në Bujanoc mes kryetarit të komunës, Shaip Kamberi dhe përfaqësuesve të lartë të ambasadës amerikane, Jeremy Long dhe Ksenija Lazoviç. Kryetari Kamberi, i informoi të pranishmit edhe për ndryshimet e planifikimit të buxhetit komunal “duke e vlerësuar si të pamjaftueshëm për një zhvillim të mirëfilltë ekonomik, pa një qasje më serioze të pushtetit qendror në Beograd”.

Agjencia e lajmeve “Presheva jonë” ka mësuar se gjatë bisedimeve, gjithashtu u kërkua që ambasada amerikane të rikthejë vëmendjen ndaj Preshevës, me theks të veçantë në realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilat shkelen sistematikisht nga Beogradi zyrtar. Në këtë drejtim, ajo kërkoi që të ushtrohet një presion nga faktorët ndërkombëtarë te Serbia, në mënyrë që kërkesat e qytetarëve shqiptarë, të realizohen konform konventave evropiane.

 

Në fund të këtyre takime palët u dakorduan që në të ardhmen të shtohen vizitat e këtij lloji, të cilat ndikojnë shumë në aktualizimin e problemeve të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, me angazhime të përbashkëta në zgjidhjen  e tyre./Presheva Jonë//m.m/

SHPËRNDAJE