Kancelari Kohl nga ky takim me ambsadorin tonë, ka vlerësuar lart përpjekjet e popullit te Kosovës për të qenë i lirë dhe ndërtuar shtetin e vetë demokratik, por Ai në të njëjtën kohë vuri në dukje edhe mungesën e vizionit për të përfunduar, siç tha Ai, projektin e Europës së bashkuar, ku vendet e Ballkanit Perëndimor doemos do të ishin brenda saj qëkur, sepse ato aty e kanë vendin. Ambasadori Mirdita e informoi gjerësisht kancelarin Kohl për arritjet, por edhe për sfidat me të cilat ballafaqohet populli dhe rinia e Kosovës.
Xhevat UKSHINI
Ludwigshafen,11 dhjetor/AIK-Presheva Jonë
Ambasadori i Kosovës në Berlin, dr. Vilson Mirdita, javën që shkoi e vizitoi në shtëpinë e tij në Ludwigshafen kancelarin historik gjerman dr. Helmut Kohl, një vizitë kjo padyshim e rëndësishme për simbolikën e mesazhin e saj politik që bart.
Të takosh njeriun që me vendimet e tij la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të kombit gjerman, duke realizuar ëndrrën e tij te bashkimit kombëtar, është pa kurrëfarë dyshimi një nder i madh për ambasadorin e shtetit më të ri të Europës, për ekzistencën e të cilit duhet “të fajësohet” edhe politika gjermane e kohës së Kohl-it dhe tani kjo e dr. Angela Merkel-it, qeveria e të cilës të premten e kaluar e ndëshkoi Serbinë në Këshillin e BE-së në Bruksel pikërisht për shkak të politikës së saj destruktive ndaj Kosovës. Të takosh njeriun që me politikën e tij largpamëse i dha shtysë të fuqishme bashkimit politik të Europës dhe kahje thellësisht paqësore rrjedhës së historisë së kontinentit tonë, është një mundësi e rralle. “Bashkimi gjerman dhe bashkimi europian ishin për mua dy faqe të së njejtës medalje” ka shkruar Kohl në kujtimet e tij.
Me iniciativën gjermano-franceze u fut monedha e përbashkët europiane euro dhe unioni politik i Europës shkoi paralelisht me proceset integruese brendagjermane. Gjithë kjo ishte meritë e padiskutueshme e kancelarit Helmut Kohl. Duke i njohur këto fakte dr. Vilson Mirdita ishte i ndërgjegjshëm se vizita tek “Qytetari i nderit i Europës” Helmut Kohl, titull ky që i është dhënë para tij vetëm edhe Jean Monnet-it, përbënte një privilegj tepër të madh. Edhe presidenti historik i Kosovës dr. Ibrahim Rugova në vitin 2004 e nderoi kancelarin gjerman me “Medaljen e Artë të Lirisë”.
Në bisedën me dr. Mirditën, kancelari Kohl i vlerësoi lart përpjekjet e popullit te Kosovës për të qenë i lirë dhe ndërtuar shtetin e vetë demokratik, por Ai në të njëjtën kohë vuri në dukje edhe mungesën e vizionit për të përfunduar, siç tha Ai, projektin e Europës së bashkuar, ku vendet e Ballkanit Perëndimor doemos do të ishin brenda saj qëkur, sepse ato aty e kanë vendin. Ambasadori Mirdita e informoi gjerësisht kancelarin Kohl për arritjet, por edhe për sfidat me të cilat ballafaqohet populli dhe rinia e Kosovës. Njëra nga temat e bisedës ishte natyrisht edhe arsimimi i gjeneratës se re. Puna e gjimnazit „Loyola“ në Prizren u vlerësua si një shembull i bashkëpunimit te mirëfilltë gjermano-kosovar, një projekt i realizuar me sukses në këtë fushë kaq të rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë.
Një përshtypje të veçantë kancelarit Kohl i bëri libri „Kosova-Kosovo NewBorn“ me pamjet e rinisë së Kosovës plot jetë saqë Ai në një moment tha se me gjithë dëshirë do ta kishte vizituar Kosovën. Ambasadori Mirdita i dhuroi mikpritësit të tij edhe një shtatore të Nënës Tereze dhe një hartë të Kosovës me mineralet nga nëntoka e saj e pasur. Kancelari Kohl duke ju falënderuar mysafirit te tij për këto dhurata domethënëse, ndër të tjera tha se “një popull që i ka dhënë botës një personalitet të tillë si Nëna Terezë, me të cilën jam takuar edhe personalisht, padyshim që ka një perspektivë të ndritshme.”
Në takimin që zgjati rreth dy orë ishte prezent edhe deputeti i CDU-së në Bundestag, z. Philip Missfelder, i cili në fraksionin së partisë së tij qeveritare e mban postin e zëdhënësit për politikë të jashtme.