Gazetari serb: Po më mbrojnë 2 milionë shqiptarë

Tashmë ekstremistët serbë kërkojnë kokën e tij. Janë bërë 40 ditë dhe gazetari serb, Bojan Bozhoviq nuk guxon të vizitojë fëmijët dhe bashkëshorten në Mitrovicën e Veriut. Veriun e qytetit tashmë, ai e sheh nga një këndvështrim tjetër. Thjesht e vështron nga ura e lumit Ibër.

“Nuk mund të shkoj në veri pasi, para 40 ditësh raportova se çfarë po ndodh atje. Raportova se atje nuk ka vetëm një grup nacionalistësh por, është fjala për një grup kriminelësh të cilët me zhvillimin e aktivitetit të tyre kriminal kanë bërë pasuri të mëdha. Po më vjen mirë që kohëve të fundit udhëheqësit e katër komunave paralele në veri të cilët duket se janë vetëdijesuar së paku me deklaratat e tyre, po thonë se, përkrahin EULEX-in dhe KFOR-in që të arrestohen kriminelët”, është shprehur Bozhoviq.

Ai tregon se pse grupet kriminale serbe po kërkojnë vrasjen e tij.

“Ka qenë shumë e rëndë për mua kur kam thënë se unë jam i pari në listë për vrasje nga ana e strukturave paralele dhe militare. Shumë njerëz në veri kanë bërë krimet e rënda, siç është vrasja e policit Enver Zymeri. Këtu është në pyetje koha se kur ata njerëz do të përballen me ligjin apo zotin. Në rast se ata arrijnë t’i shmangen ligjit sigurisht se dënimit nga zoti nuk do të mund t’i shpëtojnë. Në çdo rast ajo vrasje nuk do të kalojë pa u dënuar”, tha Bozhoviq.

Ai flet për ankthin që ka për familjen por, shpreson që ata të mos jenë pjesë e problemeve.

“Familja ime vazhdon të jetojë në veri në Zubin Potok. Kam marrë siguri të lartë nga disa politikanë në Beograd, sepse pasi ky është një problem personal me kriminelët në pjesën veriore të Kosovës në këtë luftë të mos përfshihet familja ime. Nëse është për t’ju besuar këtyre fjalëve, familja ime është mirë, nuk ka asnjë problem. Fëmijët e mi më është thënë që po shkojnë në shkollë dhe se bashkëshortja po vazhdon punën”, theksoi Bozhoviq.

Por, kush po e mbron atë në jug të Kosovës?

Ai thotë se ka gjetur mbështetjen e 2 milionë shqiptarëve. Por, rithekson se puna e tij gjithnjë është fokusuar në një raportim të drejt dhe në shërbim të bashkëkombësve të tij të ndershëm në veri.

“Po më mbrojnë 2 milionë shqiptarë. Dmth njerëzit më takojnë në rrugë më përshëndesin. Më pyesin se a kam ku të rri, a kam për të ngrënë. Më thonë se ky është vetëm një film i cili do të mbarojë shpejt dhe se gjërat do të ndryshojnë. Në këto rrethana jam shndërruar në një hero shqiptar por, kjo nuk është në të vërtetë. Unë nuk jam një hero shqiptar, ajo çka më ka shtyrë të raportuar është gjendja reale në veri. Këtë më shumë e kam bërë për bashkëkombësit e mi, serbët të cilët janë të ndershëm dhe ky numër për mua e përbën rreth 95% të popullatës në veri. Nga 50 mijë banorë, 5% janë përfshirë në politikë, disa prej tyre janë të lidhur me krimin. Ndoshta edhe unë do të bëhesha kriminel në rast se për një vit do përfitoja miliona euro. Për këtë arsye unë e kuptoj reagimin e tyre për shkak se mbrojnë kapitalin e tyre por, nuk mund ta kuptoj se përse në barrikada i dërgojnë fëmijët dhe gratë dhe nuk dalin vetë ata t’i bëjnë këto gjëra. Të dalin vetë dhe të luftojnë me EULEX-in dhe KFOR-in”, deklaroi gazetari serb.

Ai porosit serbët të pranojnë realitetin e ri në Kosovë. Ndërkohë thotë se, është e drejtë e qeverisë së Prishtinës të shtrijë sovranitetin në gjithë territorin.

“Duhet që serbët të rikthejnë jetën e tyre normale siç e kishin para 40 ditësh. Ndërkohë qeveria e Prishtinës duhet që me çdo kusht të vendosë kontroll absolut në veri. Por, ndoshta do të ishte mirë të marrim edhe mendimin e Brukselit se çfarë do të thonin ata në gjithë këtë situatë. Mbase Evropa do të mund të na ofronte një zgjidhje më të mirë se opsionet tona. Në ketë çështje duhet të dyja palët të ulin tensionet. Së pari serbët mos të thonë që Kosova është zemra e Serbisë, sepse po shihet që nuk është. Po kështu është Prishtina nuk duhet në çdo rast të theksojë që Kosova është e pavarur. Ne dimë që është e pavarur dhe sovrane por, mendoj që të dyja palët duhet të gjejnë një zgjidhje p.sh. punësimin e popullit. Pasi kur njëri nuk punon nuk ka punë tjetër përveç të dalë në rrugë të shikojë tv dhe të krijojë probleme”, tha Bozhoviq.

Me shqetësim ndaj kësaj situate të gazetarit Bojan Bozhoviq, kishte reaguar asociacioni i gazetarëve profesionistë të Kosovës dhe jo vetëm.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni