Vazhdimi i marrëdhënieve të ngushta dypalëshe midis Shqipërisë dhe Izraelit ishin fokus i takimit të Kryeministrit Sali Berisha me zëvendësministrin e Jashtëm izraelit, Daniel Ayalon që Kryeministri Berisha zhvilloi në Munih. Ayalon falënderoi Kryeministrin për takimin dhe i përcolli përshëndetjet e Kryeministrit Netaniahu. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha falënderoi për mikpritjen e shkëlqyer gjatë vizitës së tij zyrtare në Izrael, pak kohë më parë. Në takim u bisedua rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe veprimeve konkrete të nevojshme për të konkretizuar drejtimet e bashkëpunimit në të gjitha fushat, të cilat u diskutuan gjatë vizitës së Kryeministrit Berisha në Izrael.

Theks i veçantë iu vu thellimit të marrëdhënieve ekonomike mes të dy vendeve. Kryeministri Berisha ritheksoi fushat me interes dypalësh, ku investitorët izraelitë janë të mirëpritur, si energjia e rinovueshme, bujqësia, turizmi, shkenca, etj. Zoti Ayalon nënvizoi se forcimi i marrëdhënieve dypalëshe merr një rëndësi të madhe në kushtet e zhvillimeve ndërkombëtare dhe veçanërisht atyre ekonomike dhe se Izraeli u jep një peshë të veçantë, bazuar në marrëdhëniet historike mes dy popujve, por edhe interesat strategjikë të përbashkët. Hapja e ambasadës së Izraelit në Shqipëri do të kontribuojë në mënyrë thelbësore në këtë drejtim. Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajonin e Mesdheut dhe sfidat që ato paraqesin. Të dy bashkëbiseduesit ndanë qëndrimin se rruga e demokratizimit është rruga më e sigurtë dhe e qëndrueshme për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit. Në këtë kuadër, Europa mund të ndihmojë në krijimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike, në interesin më të mirë të popujve të rajonit.

SHPËRNDAJE