EKSKLUSIVE: Bisedë me shkas me znj.Ediola PASHOLLARIN, sekretare e përgjithshme e Asamblesë Botërore të Rinise ( World Assembly of Youth WAY)  me seli në Malajzi

 

Maleka,11 dhjetor/AIK-Presheva Jonë

Ediola Pashollari ka lindur në Këlcyrë të Përmetit. Si shkollën fillore, edhe atë të mesme, e ka kryer në qytetin e Përmetit. Në vitin 1999, familja e saj u shpërngul për në Malajzi, pasi babait i duhej të vazhdonte studimet në një vend ekuatorial. Gjatë kësaj kohe, ajo kishte filluar edhe studimet në Kolegjin Stamford për Juridik, ku kreu studimet e larta në Universitetin Northumbria në Newcastle, Angli, kur në vitin 2004 u diplomua. Pas përfundimit të shkollës së lartë, ajo ndoqi masterin për menaxhim biznesi në qendrën e Oksfordit. Specializimet e saj nuk përfundojnë këtu. Ajo kreu edhe masterin në shkencat politike po në Angli. Gjatë kësaj periudhe ka ndjekur kurse të ndryshme si në leadership, relacione të huaja dhe diplomaci, si dhe për komunikim. “Takimin e parë me Asamblenë Botërore të Rinisë e kam pasur që në vitin 1999, ku punova si vullnetare për 6 muaj për sistemimin e dokumentacionit, pasi në atë kohë, kjo organizatë u shpërngul nga Kopenhagën, Danimarkë, në Kuala Lumpur, Malajzi dhe gjatë gjithë kësaj kohe kam mbajtur marrëdhënie të afërta me këtë organizatë. Në janar të 2006-s u emërova si zëvendëssekretare e përgjithshme e WAY ku punova për një vit. Më pas u emërova si sekretare e përgjithshme ku dhe vazhdoj të punoj aktualisht”, thotë Ediola Pashollari në intervistën e dhënë për agjencinë informative kombëtare “Presheva Jonë”.

 

ASAMBLEJA BOTËRORE E TË RINJVE (WAY)  TUBON 120 VENDE ANËTARE, VENDE  KETO NGA MBARË PLANETI

 

Presheva Jonë: Kuptuam se jeni sekretare e përgjithshme e WAY. A mund të na thoni diçka më tepër rreth kësaj organizate ndërkombëtare që ju drejtoni, për rolin, synimet e sukseset, aktivitetet në botë?

EDIOLA PASHOLLARI: Asambleja Botërore e Rinisë (WAY) është krijuar në gusht të vitit 1949 në Londër, Angli. Gjatë kësaj kohe, WAY është shpërngulur në Bruksel, Paris, Kopenhagën dhe së fundmi në Melaka, Malajzi. Detyra kryesore e organizatës është të koordinojë dhe të ndihmojë këshillat kombëtarë të rinisë dhe Organizatën Kombëtare të Rinisë në të gjithë botën. WAY punon për zhvillimin e organizatave rinore dhe rinisë në çështjet e popullsisë, drogës, HIV/AIDS, shëndetit, punësimit, globalizimit, demokracisë, natyrës, pjesëmarrjen e rinisë për vendime, të drejtat e njeriut.

 

INKUADRIMI DHE BASHKËPUNIMI I  TË RINJVE TANË ME WAYN HAP PERSPEKTIVA TË REJA PËR TA

 

Presheva Jonë : Meqë WAY merret me çështjen e të rinjve, krahas atyre në botë, sigurisht që përfshin edhe shqiptarët, qofshin ata në Shqipëri apo Kosovë. WAY sa i njeh shqiptarët apo shqiptarët sa e njohin WAY-in?

EDIOLA PASHOLLARI: Është dhe s’është e njohur WAY nga të rinjtë tanë në Shqipëri apo Kosovë. Unë kam bërë tentativat e mia në të dyja shtetet për angazhimin e tyre dhe ende jam në negociata e sipër për përfshirjen e të rinjve tanë në këtë organizatë botërore, që do të kishte shumë rëndësi në sensibilizimin e rinisë sonë, sidomos në ndërkombëtarizimin edhe më të çështjes sonë kombëtare në botë. Megjithatë përpjekjet e mia do të vazhdojnë, derisa unë të jem në këtë organizatë që do të ketë rol të jashtëzakonshëm në perspektivën e të rinjve tanë.

 

Presheva Jonë : Jetoni dhe veproni në fund të botës. A vlen për ju thënia, larg syve, larg zemrës? Shqipëria, vendlindja, familja ju mungojnë?

EDIOLA PASHOLLARI: Largësia nga vendi yt ta shton mallin për të, nuk ta pakëson. Kështu që çdo gjë mund të ketë vlerë tek unë, por jo thënia e mësipërme kur bëhet fjalë për Shqipërinë, për qytetin e lindjes, për njerëzit e mi të afërt, të cilët i kujtoj dhe më kujtojnë me mall e dashuri.


Presheva Jonë : Është e vështirë për një femër shqiptare në krye të një organizate botërore, siç është WAY?

EDIOLA PASHOLLARI: Është e para herë në historinë e WAY-it, që kjo organizatë drejtohet nga një femër me një moshë relativisht të re. Shumë njerëz kur janë prezantuar në fillimin e aktivitetit më kanë parë me mosbesim, të tjerë me shumë rezerva kur e marrin vesh që jam shqiptare, të cilën e deklaroj në çdo kohë dhe vend dhe jam krenare që jam e tillë. E kundërta ndodh në fund të aktivitetit, ku shumica e tyre më kërkojnë falje dhe më urojnë për punën time. Kjo punë është e vështirë, sidomos për femrat, sepse më duhet të udhëtoj në më shumë se 20 vende me zhvillime të ndryshme nëpër botë çdo vit.

 

Presheva Jonë : A jeni e kënaqur me përfshirjen e femrës shqiptare në institucionet shtetërore, qoftë në Shqipëri apo Kosovë? Jo rastësisht thonë ‘më trego sa femra ke në pushtet, të të tregoj se çfarë shteti i civilizuar je ?

EDIOLA PASHOLLARI: Është fakt që si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, në institucionet shtetërore pjesëmarrja e femrës është në nivele të ulëta dhe duhet bërë më shumë në këtë drejtim, jo vetëm në raste fushatash, por gjatë gjithë kohës, pasi dhe gjuha e përdorur në institucionet e Shqipërisë dhe të Kosovës lënë shumë për të dëshiruar. Megjithatë uroj që femrat shqiptare të arrijnë vendin që iu takon.


SHPËRNDAJE