DIKTATORËT E MBRAPSHT (sikur ky i Koresë) duhet përcjellur te varri mbrapsht !

(photo montage de l’agence presse “Presheva Jonë”)

Udhëheqësi i ndjerë, i cili vdiq më 17 dhjetor, në moshën 69-vjeçare, nga një sulm në zemër, udhëhoqi vendin që nga vdekja e babait të tij, Kim Il Sung, në vitin 1994.

 

Me mijëra qytetarë të Koresë së Veriut u rreshtuan sot në rrugët e mbuluara me borë të Phenjanit, për t’i dhënë nderimet e fundit diktatorit, Kim Xhong Il, gjatë ceremonisë së funeralit të tij shtetëror.

 

Pamjet e transmetuara sot nga televizioni shtetëror tregonin paradën e funeralit, të udhëhequr nga një veturë që bartte një fotografi gjigante të Kimit, duke kaluar para rreshtave të ushtarëve që mbanin kokën ulur.

Një ushtar i Koresë së Veriut, duke folur nga sheshi kryesor ku po mbahej ceremonia, e që bart emrin e Kim Il Sungut, shpalosi emocionet e tij për televizionin shtetëror.

“Bora po bie pa mbarim, sikurse lotët tanë. Si mund të mos vajtojë edhe qielli, kur ne kemi humbur gjeneralin tonë, i cili ishte njeri i madh nga qielli? Përderisa vdekja na ndau neve me gjeneralin, njerëzit, malet dhe qielli po derdhin lot gjaku, i dashur Komandant Suprem”, u shpreh ai.

Makina e varrimit, që bartte arkivolin e Kimit në pjesën e sipërme të saj, lëvizi përgjatë sheshit qendror, nën përcjelljen e Kim Xhong Unit, djalit të tretë dhe pasardhësit të mundshëm të liderit të ndjerë.

Të pranishëm ishin edhe Xhang Song Taek, xhaxhai më i ri i Kimit, një figurë e rëndësishme në vend, dhe Ri Jong Hoja, shefi i shtabit të ushtrisë. Ndërkohë, civilët që vajtonin pa ndalur, kërcenin nga hidhërimi dhe bërtisnin “baba, baba”.
Në ceremoninë e varrimit nuk morën pjesë personalitete të huaja. Një shërbim përkujtimor kombëtar për Kimin pritet të mbahet në mesditën e ditës së nesërme.

Pas vdekjes së Kimit, bota do të shikojë me ankth se çfarë do të ndodhë vitin e ardhshëm në Korenë e Veriut. 2012-ta pritej të ishte viti i shënimit të transformimit të vetëshpallur të Koresë së Veriut në një komb “të fortë dhe të begattë”, por ky vend tani po ballafaqohet me një ndryshim të rrezikshëm, në një kohë kur sistemet diktatoriale nëpër botë po lëkunden.

Pritjet janë që pak ndryshime do të ketë në vend, i cili ka kaluar nëpër një fazë që shumë analistë e kanë quajtur “Marshin më të Mbrapshtë” në 20 vjetët e fundit.

Me një arsenal bërthamor dhe 1.2 milion forca të armatosura, Koreja Veriore është një fuqi e fortë ushtarake, por shumica e qytetarëve të saj janë të varfër.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni