Cindy Crawford: Edhe unë kam frikë të plakem

Ju duket një grua e bukur? “Kam shumë defekte që nuk dua t’i them”. Ka një bashkëshort që tregon se e dashuron çmendurisht, dy fëmijë që i adhuron dhe një karrierë që nuk ka perënduar kurrë…Ndoshta nuk është perfekte, por di të zbulojë sekretin e gjërave të suksesshme

E kam studiuar Cindy Crawford për dy ditë me radhë pa pushim, si të ishte një fenomen shkencor. E pashë se si lëviz, si flet, si buzëqesh. Kush e ka ndjekur hap pas hapi karrierën e saj ndër vite ka menduar vetëm një fjalë: është thjesht magjepsëse. E dobët si të ishte akoma modele aktive e pasarelave, Cindy di t’i bëjë të tjerët të ndalin hapin për ta vështruar. Është njerëzore dhe shumë e thjeshtë në atë që bën. Cindy ka hyrë në jetët tona në fund të viteve ‘80, dhe nuk ka dalë akoma. Kudo që shkon, pritet nga turma si një yll i vërtetë. Me dhjetëra celularë ngrihen për t’i shkrepur disa foto vjedhurazi, asaj që prej 25 vjetësh është ikona e perfeksionit femëror që nuk po perëndon. Por, ajo nuk është vetëm një ish-top modele, por edhe një sipërmarrëse dhe biznesmene e mirë.

Pasi prezantoi linjën e saj të kremrave (www.meaningfullbeauty.com), tani i ka hyrë edhe rrugës së dizajnit. Në SHBA sapo ka hedhur në treg linjën e mobilieve “Cindy Crawford Style”, në bashkëpunim me firmën “JC Penney”. Gjithsesi, moda është ende në zemrën e saj. Ajo nis të rrëfejë disa nga kujtimet e veta: ”Në vitin 1984 isha një vajzë 18-vjeçare që vija nga një qytet i vogël në provincën e Illionisit, Dekalb, rreth 50 kilometra nga Çikago. Ishin hapat e mi të parë si modele, dhe më propozuan të shkoja në Egjipt për një shërbim fotografik. Ishte hera e parë që udhëtoja larg SHBA-ve për të shkuar në mes të natyrës së egër për të pozuar. Nuk e harroj dot këtë pjesë që lidhet me të kaluarën time”.

Si është moda sot, në krahasim me vitet kur ti sfiloje?

Ka ndryshuar shumë, por gjithsesi është normale. Aktualisht nuk ka më super modele. Njerëzit tërhiqen më shumë nga personazhet e Hollivudit, nga njerëzit e famshëm. Për këtë arsye, është më e vështirë për një modele të bëjë emër. Ka më pak mundësi për të dalë në kopertinë, të jetë e dukshme, të jetë e prekshme, të zgjidhet si imazh i një firme të caktuar. Kam qenë me fat që kam punuar në vitet ’90, kur gjithçka rrotullohej rreth nesh.

Cila është sfilata që nuk e harron kurrë?

Show i Gianni Versaçe me Christy Turlington, Naomi Campbell dhe Linda Evangelista. Ato të Versaçes nuk ishin thjesht sfilata, por spektakle të vërtetë teatralë, ku muzikantët luanin pjesë ‘live’ dhe aktorët shfaqeshin përkrah tyre. Arti përzihej me modën, në mënyrë shumë të gëzueshme dhe frytdhënëse. Sa herë që e kthej kokën pas, them: ai ka qenë vërtet një moment spektakolar në jetën time.

Disa ditë më parë, në një mbrëmje bamirësie, mbaje veshur sandale gladiatori të “Jimmy Choo” dhe një fustan të mrekullueshëm. Cilit stilist i përkiste?

“Roberto Cavalli”. Jemi miq e takohemi shumë shpesh bashkë. Ai i do shumë gratë dhe unë e adhuroj.

Po nishani afër buzës, të ka pëlqyer?

Jooo! Kur isha e vogël doja ta hiqja, sepse motra ime tallej gjithmonë me mua. Nëna ime, një grua shumë inteligjente, më thoshte: mund ta heqësh përmes operacionit, por do të ngelet shenjë e ndoshta do të duket shumë keq. Edhe në agjencinë e parë për të cilën kam punuar më këshilluan ta hiqja. Në kopertinën time të parë për revistën “Vogue” në Angli, e ndryshuan me fotoshop. Dukesha ndryshe. Pastaj dola tek “Vogue America” pa asnjë ndryshim, dhe që nga ajo kohë jam bërë e famshme dhe identifikohem me të.

Po ndonjë defekt?

Kam shumë, por nuk i them. Përndryshe, do filloni t’i shihni edhe ju.

Ke pozuar për “Playboy” në vitet 1988 dhe 1998. Rreth 1 vit më parë pozove sërish nudo për revistën amerikane “Allure”, me titullin: “Ja ç’do të thotë të jesh 43 vjeçe”… Cili ishte qëllimi?

Të tregoja se si e mbaja veten në formë. Mendoj se mesazhi që kam përcjellë ka qenë pozitiv. Secili prej nesh mund të kujdeset për veten për të qenë më mirë.

Çfarë emocionesh provove kur e kalove pragun e të 40-ve?

Para se t’i mbushja isha pak e frikësuar. Pastaj hodha shikim përreth dhe kuptova se isha një 40-vjeçare e maturuar, më e përgjegjshme dhe më e sigurt në vetvete. Me kalimin e moshës e njeh më mirë veten, e pranon, e di se çfarë të pëlqen, atë që ja vlen, dhe çfarë nuk ja vlen që të harxhosh kohën. Ky është një lehtësim i madh, që të bën edhe më të bukur.

Ke frikë të plakesh?

Po, edhe unë kam. Nuk më pëlqejnë rrudhat dhe trupi që bie. Por, duhet ta pranosh, nuk ke ç’të bësh tjetër.

Por, mund t’i drejtohesh kirurgjisë plastike…

Kam frikë t’i modifikoj shumë linjat e mia. Pas një ndërhyrjeje dukesh ndryshe, por jo domosdoshmërisht më e re.

Po mamaja jote, çfarë mendon për ndërhyrjet që ndalojnë kohën

Mamaja ime ka një lëkurë të mrekullueshme. Nuk kishte përdorur kurrë më parë një krem, derisa unë krijova linjën time të kremrave.

Ti je një grua shumë e bukur. Po bashkëshorti yt, sipërmarrësi Rande Gerber, është xheloz?

Jo, nuk është xheloz për askënd. Është një njeri që e kontrollon shumë mirë veten. Ndihet i sigurt në jetën që ka zgjedhur të bëjë, vetëm se nuk dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes. Nuk do ta bënte kurrë punën time.

Gratë janë më sentimentale, burrat më të ftohtë e më pak romantikë. Edhe mes jush kështu funksionon?

Le të themi se Rande nuk i shfaq shumë emocionet e tij. Megjithatë, ndonjëherë i shkoj përpara dhe i them: duhet të flas me ty. Fik televizorin dhe i largoj “BlackBerry”-n. I them të më shohë në sy. Nisim kështu bisedat, edhe pse nuk është ai që e merr iniciativën i pari. Ne gratë flasim për ndjenjat tona gjatë gjithë ditë, burrat jo. Të paktën ata që kam dashur unë.

Çfarë kujton nga martesa me Richard Gere?

Ishte një tjetër kohë, një tjetër jetë.

Të kemi parë shpesh nën shoqërinë e George Clooney. Jeni miq?

Është një mik i vjetër i imi. Kam një ndikim të madh tek ai, di si ta bind gjithmonë.

Ti punon, por kalon edhe shumë kohë me dy fëmijët e tu, Presley e Kaia. U blen gjithmonë dhurata kur udhëton?

Jo gjithmonë u blej gjëra kur kthehem nga udhëtimet e mia. Nuk dua që të jenë të lumtur vetëm sepse u kthehem me dhurata në çantë.

Je një nënë tolerante?

Përgjithësisht po, por ndonjëherë e humbas durimin. Por me thënë të vërtetën, jo të gjitha gjërat që u përkasin fëmijëve janë të mrekullueshme. Ndonjëherë kur nuk sillen mirë, ndjen një inat të madh brenda vetes. Por, duhet t’i pranosh ashtu si janë, jo ashtu si do doje të ishin. Unë kam qenë një studente shumë e mirë, kurse djali im e urren shkollën. Duhet ta pranoj, edhe pse e kam të vështirë. Nuk kam ndonjë recetë për të vepruar ndryshe.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni