Brunei njohu pavarësinë e Kosovës

Nga Express 25 Prill 2012 18:10

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë i Brunei Darussalam, Mohamed Bolkiah përmes një letre dërguar Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka konfirmuar njohjen zyrtare për Republikën e Kosovës nga ky shtet.

“Sot ministri Hoxhaj po ashtu ka zhvilluar një bisedë telefonike me Ambasadorin e këtij shteti në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York, Latif Tuha, i cili ka përcjell përshëndetjet të përzemërta të ministrit të jashtëm dhe i ka konfirmuar ministrit Hoxhaj njohjen e zyrtare nga Brunei Darussalam”, thuhet në një komunikatë të MPJ’së.

Me këtë rast, Ministri Hoxhaj është ftuar në një vizitë zyrtare në këtë shtet. Brunei Darussalam është shteti i 90-të që njeh shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës.

Brunei Darussalam, i njohur në botë si Brunei, është shtet sovran që shtrihet në Azinë Juglindore.

Popullsia e Bruneit në vitin 2011 ka qenë 401,890 banorë, ndërsa aktualisht konsiderohet si shtet i ri i industrializuar, që ka vendin e dytë për nga rritja e indeksit të zhvillimit human në mesin e shteteve të Azisë Juglindore dhe klasifikohet si shtet i zhvilluar.

Kryeqyteti i Bruneit është Bandar Seri Begawan, kurse është shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara që nga 21 shtatori 1984.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni