Tomislav Nikolic ka bërë betimin si presidenti i ri i Serbisë, me një fjalim ku mes të tjerash ka spikatur citimi se do të ruajë integritetin territorial të Serbisë, duke iu referuar në këtë mënyrë Kosovës.

“Do të mbroj Kushtetutën, do të respektoj dhe ruaj integritetin territorial të Serbisë dhe do të përpiqem që t’i bashkoj të gjitha forcat politike në vend, që të kenë një politikë të përbashkët kundrejt Kosovës”, ka deklaruar Nikolic.

Nga ana tjetër ai ka premtuar se do të ndjekë rrugën evropiane për Serbinë dhe se do të bashkëpunojë me vende të ndryshme, qofshin ato në Perëndim apo në Lindje.

Është në interes të Serbisë që të bashkëpunojë me të gjithë, edhe me Lindjen edhe me Perëndimin, pasi në këtë mënyrë Serbia vetëm fiton dhe nuk humbet asgjë”, ka vlerësuar Nikolic.

Ceremonia e betimit të presidentit serb, ashtu siç ishte paralajmëruar, është bojkotuar nga presidentët e disa prej vendeve fqinje të Serbisë.

Kanë qenë presidentët e Sllovenisë, Bosnjës dhe Kroacisë që e kanë bojkotuar këtë inaugurim, për shkak të deklaratave të Nikolic se, masakra e Srebrenicës nuk ishte gjenocid dhe se qyteti i Vukovarit në Kroaci është një qytet serb.

Ministri i Brendshëm serb, Ivica Dacic deklaroi më herët se Serbia ndihej e ofenduar nga ky veprim, i cili sipas tij ka qenë i organizuar dhe jo i rastësishëm. “Ky është një bojkot i organizuar dhe është një ofendim për Serbinë dhe jo për Tomislav Nikolic”, deklaroi ministri i Brendshëm./ Express

SHPËRNDAJE