Berisha: Të gjithë me një ambicie për Shqipërinë e zhvilluar

(AIK-Presheva Jone)

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e shpërndarjes së Fondit të Ekselencës për 42 studentë shqiptarët, të cilat janë pranuar të studiojnë në nivele të ndryshme akademike në disa prej universiteteve më të mira të botës.

Duke i përshëndetur fituesit e këtij Fondi, Kryeministri Berisha u shpreh se përgatitja dhe mbështetja e tyre është një nga përparësitë më madhore të qeverisë dhe se qeveria do të bëj çdo gjë për të mbështetur krijimin e një elite, e cila duhet të jetë në lartësinë e kohës.

Më tej, Kryeministri u shpreh se nuk do të ketë më kufizime në numër për përfituesit e Fondit të Ekselencës. “Unë ju garantoj se nuk do të ketë asnjë kufizim për këtë Fond. Atë do ta përfitojnë të gjithë ata që do të arrijnë ta meritojnë në bazë të kritereve. Dhe nga ky fond nuk do të përfitojnë vetëm studentë të universiteteve të Shqipërisë apo gjimnazistë të Shqipërisë, por edhe studentë e gjimnazistë shqiptarë kudo që ndodhen, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni, në Preshevë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Itali e kudo”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha ftoi, gjithashtu, edhe të gjithë asistentët, pedagogët e studiuesit që të aplikojnë në 15 universitetet më të mira të botës dhe qeveria do të mbështesë plotësisht gradimin dhe studimet e tyre kërkimore.

“Në këtë takim së pari unë dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht ju studentët dhe studentet e ekselencës, t’ju uroj ju dhe mbarë studentëve e pedagogëve shqiptarë një Vit të Ri të gëzuar, t’ju siguroj se për qeverinë time përgatitja dhe mbështetja juaj, mbështetja e ekselencave shqiptare, përbën një nga përparësitë më madhore.

Ne e konsiderojmë jetike përpjekjen e krijimit të një elite, e cila duhet të jetë në lartësitë e kohës. Elita dhe e ardhmja janë binom i pandarë, janë pothuajse sinonim i njëra – tjetrës. Në të gjitha kombet e këtij kontinenti shqiptarët për vetë historinë e tyre kanë pasur raportin më të vështirë me elitën, raportin më të vështirë me të ardhmen. Për shekuj të tërë elita e tyre ishte imperiale. Ajo kontribuoi në mënyrën më thelbësore në një perandori që zgjati shekuj, por ajo me vështirësi u shndërrua apo u bë një elitë kombëtare. Kjo elitë, pavarësisht se ku u formua, projektoi në mënyrën më gjeniale Shqipërinë dhe shqiptarët në hapësirën e tyre native, në hapësirën perëndimore. Kjo ishte rilindja. Më pas saga e elitës është një sagë vuajtjesh. Përveç një periudhe të shkurtër të Mbretërisë, periudha e diktaturës ishte periudha e rrënimit të vërtetë të elitës në tërësinë e saj. Softi perëndimor i kombit u dekapitua.

Janë 20 vite në të cilat elita shqiptare ka marrë sërish përgjegjësitë e mëdha që i takojnë. Janë 20 vite në të cilat shqiptarët ndërtojnë të ardhme, sepse vetëm një komb i lirë mund të ndërtojë të ardhme. Kombet jo të lira mbijetojnë, nuk ndërtojnë të ardhme. Sërish duhet të pranojmë se në këtë vend, si në asnjë vend tjetër, gërshetohen zhvillime nga më modernet, por edhe prapambetje deri në mesjetare. Ne nuk duhet të habitemi. Sot në Shqipëri kemi mijëra kilometra rrugë, për të cilat ju garantoj se mund të kenë qenë të tilla që nga kohërat romake e deri më sot dhe presin ndërtimin. Sot në alpet tona, të cilat janë ndër bukuritë më mahnitëse, sërish gjenden ngulime që të tilla kanë qenë edhe 4 mijë vjet më parë. U ndala në këtë paraqitje për të theksuar se sa jetike është për kombin tonë të kapim kohën e humbur. Për ta kapur atë të gjitha kombet duhet të ecin, ndërsa shqiptarët duhet të fluturojnë. Ata mund ta bëjnë këtë vetëm duke garantuar një elitë vizionare, një elitë e cila do t’i drejtojë ata në rrugë dhe shtigje më të sigurta për të kapur vendet e zhvilluara. Ne së bashku duhet të kemi një ambicie – Shqipëria vend i zhvilluar. Kjo është një ambicie shumë e vështirë për tu realizuar, por është absolutisht e mundshme për tu realizuar. Vendi ynë ka potenciale të jashtëzakonshme. Aq sa është i vogël në gjeografinë e tij, po aq është i madh në mundësitë e tij.

Ndaj ju siguroj se qeveria do të investojë. Ministri i Arsimit dhe Shkencës njoftoi këtu se për vitin 2010 janë 42 përfitues të Fondit të Ekselencës, por unë ju garantoj se nuk do të ketë asnjë kufizim për këtë fond. Atë do ta përfitojnë të gjithë ata që do të arrijnë ta meritojnë në bazë të kritereve. Dhe nga ky fond nuk do të përfitojnë vetëm studentë të universiteteve të Shqipërisë apo gjimnazistë të Shqipërisë, por edhe studentë e gjimnazistë shqiptarë kudo që ndodhen, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni, në Preshevë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Itali e kudo.

Ne do t’i mbështesim me ata me kushtin e vetëm që pas studimeve të pranojnë t’i shërbejnë vendit të tyre. Të bëjnë detyrimin ndaj taksapaguesve shqiptarë, të cilët në një periudhë të vështirë për ta japin taksën, ndajnë kafshatën, në mënyrë që të përgatisin një elitë për të ndërtuar një të ardhme dhe më të mirë.

Ndaj dhe thirrja ime për të gjithë studentët e këtij vendi, për gjimnazistët, është: aplikoni në 15 universitetet më të mira të botës dhe qeveria do të financojë tërësisht studimet tuaja. Qeveria do të mbështesë shqiptarët kudo që janë, kudo që ndodhen. Sikundër ftoj të gjithë asistentët, pedagogët, studiuesit, të aplikojnë në universitetet më të mira. Ne do të mbështesim plotësisht gradimin dhe studimet e tyre kërkimore. Ne kemi bërë një hap të madh në drejtim të arsimit të lartë duke arritur që 70 për qind e atyre që morën maturën të ulen në bankat e universiteteve. Kjo është një arritje e madhe, por është dhe vetëm një hap i parë, sepse elita dhe cilësia janë një dhe të pandara, sepse shkolla përmbush misionin e saj vetëm duke konsoliduar cilësinë e saj. në këtë kontekst roli i Fondit të Ekselencës merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe.

Duke ju uruar edhe një herë, ftoj të gjithë të rinjtë të shkollave të mesme e të larta që të jenë ambiciozë. Ambicia për të arritur është virtyt. Nuk ka asgjë më të rëndësishme për njeriun sesa ambicia pozitive. Ajo është një forcë e jashtëzakonshme që të shtyn, të krijon. Ndaj duhet të jeni ambiciozë që të aplikoni. Qeveria do t’ju mbështesë ju, pedagogët tuaj, asistentët dhe do të bëjmë çdo gjë që në këtë Fond të mos ketë kufizime.

Nuk ka asnjë fond tjetër pa kufizim në Shqipëri, ndërsa Fondin e Ekselencës do ta mbajmë të tillë. Sa të rinj dhe të reja të fitojnë, ne do t’i mbështesim”, tha Berisha./bs


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni