Basha: Kosto e bulevardit është rreth 40 milionë euro

Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha prezantoi dje në emisionin “Opinion” vizionin e tij për modernizimin e qendrës së Tiranës. Ai bëri publik detajet e projekteve të bulevardit kryesor dhe ndryshimet që e shoqërojnë atë. Basha është shprehur se kostoja e tij do jetë rreth 40 milionë euro.

Në vitin 1942 italianët tentuan të ngrenë një stacion të bukur treni këtu ku ju ndërtoni dy kulla të reja tani, bënë gati edhe projekti por nuk u ndërtua kurrë. Dikur në vitet 50, regjimi komunist ndërtoi një stacion të përkohshëm treni i cili u bë i përhershëm. A rrezikon edhe ky stacion i juaji që parashikon mbledhjen të të gjitha mjeteve të mbetet vetëm në letër? Për këtë stacion sot Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka akorduar gjysëm milioni euro dhe në dijeninë time të plotë Bashkia e Tiranës nuk do të investojë asnjë lek.
Pse ka dalë njeri tu falë para?
Pikërisht kjo është pyetja që shtrohet. Pse e ka bërë banka këtë apo ka luajtur nga mendtë!? Ky është një zhvillim me një potencial shumë të madh komercial, i cili vetëm në këtë moment që flasim ne, ka mbi 12 korporata britanike, amerikane, italiane e gjermane të interesuara për ndërtimin e këtij stacioni multimodal.
Sa do kushtojë projekti?
Për mua ky projekt ka një shpalosje të qartë …. Do të vijmë edhe aty, unë e kuptoj që doni të nxirrni lajmin, por duhet të dëgjoni edhe përshkallëzimin e mendimit, besoj se është me interes për qytetarin. Asnjë nga këto projekte pra nuk merret e të vuloset apo të vendoset në të njëjtën kohë mbi gjithë sipërfaqen, ka një radhë punësh dhe këtu kemi tre vepra kryesore publike, kemi bulevardin, lumin e Tiranës dhe hapësirën e gjelbër. Hapësira e gjelbër në këto projekte si dhe në disa projekte të tjera është zgjidhur me disa derivate, shpresoj të kemi mundësinë të diskutojmë konkretisht, të integruar me bulevardin, lumin, të ndërthurur me njëri-tjetrin apo me tranzicione të përziera por bulevardi për mua është vepra e parë nxitëse katalizatore e këtij zhvillimi të Tiranës moderne e europiane të shekullit të XXI. Të dy projektet paraqesin bulevard linear, bulevard të gjerë me parametra të ndryshme gjerësie, parametra gjelbërimi, njëri ka parametra të theksuar të hapësirave ujore, tjetri ka parametra të theksuar të infrastrukturës duke bërë një lidhje do të thoja nga më modernet dhe më efiçentet të kësaj arterie të bulevardit me arteriet laterale. Në detajimin e projektit secili prej tyre do i përafrohet edhe shumë kostos së investimit të bulevardit, ndërsa projekti fitues do të ketë një preventiv të plotë të kostos për të ekzekutuar bulevardin. Pyetja tani shtrohet se çfarë orientimi kanë studiot…
Jo, pyetja është sa lekë ka në xhepin e brendshëm Bashkia e Tiranës për të shpenzuar për bulevardin dhe lumin e Tiranës?
Detyra e projektimit u ka dhënë arkitektëve një ide se brenda cilit marzh duhet të operojnë. Ne u kemi dhënë një marzh veprimi i cili nuk do të tejkalonte një shumë prej 30 deri 40 milionë euro vetëm për arterien e bulevardit bashkë me tranzicionin e lumit të Tiranës, pra kalimin, kryqëzimin, pjesën e bulevardit nga Stacioni i Trenit deri në bregun verior të lumit të Tiranës. Jo deri në Paskuqan…. Jo deri në Paskuqan!
Pra, vetëm segmenti nga Stacioni i sotëm i trenit deri te kryqëzimi me lumin e Tiranës. Bulevardi së bashku me dy zonat e gjelbra apo parkun bashkë duhet të shkojë 36 deri në 40 milionë.
Këto janë referencat që u janë vënë projektuesve, për t’i orientuar se çfarë kapacitetesh ka investitori në këtë rast Bashkia e Tiranës në mënyrë që ata të mund të projektojnë, do të bëjmë një rrugë me 6 korsi me asfalt, që besoj është vepra më e thjeshtë apo do të bëjmë një rrugë me shatërvane të praruara me flori, që është ekstremiteti tjetër apo do bëjmë diçka që vërtitet. Rehabilimi i Lumit të Tiranës do të fillojë para Unazës së madhe nga Kthesa e Kamzës tek ura e Brarit apo do të bëhet paralelisht? Do të jetë një zhvillim paralel por do të jetë në varësi të projektit fitues dhe zgjidhjes përfundimtare. Puna do të ecë paralelisht me pastrimin e lumit dhe me veprat publike si unaza. /Gazeta Shqiptare


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni