BAN KI-MOON: Veriu pengon dialogun

Situata e rëndë në veri të Kosovës ndikon shumë në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe bisedimet për perspektivën evropiane të rajonit, vlerëson Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, në raportin e tij të ri për tremujore në Kosovë, i cili do t’i dërgohet Këshillit të Sigurimit për shqyrtim në seancën e 8 shkurtit, njofton agjencia informative kombëtare “Presheva Jonë”

 

 

Gjenevë, 1 shkurt UN/ AIK-Presheva Jonë

 

Në këtë raport të posapublikuar shefi OKB-së Ban Ki-Moon ka shprehur kënaqësi për vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe arritjen e marrëveshjeve, por edhe shqetësimet për shkak të progresit të ngadaltë në kthimin e të zhvendosurve dhe fatin e të pagjeturve.

“Shpresoj se anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të forcojnë mesazhet e UNMIK-ut se është koha për guxim dhe pragmatizmin e nevojshëm për arritjen e paqes së përhershme dhe stabilitetit”, thekson Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, raporton agjencia e lajmeve Presheva Jonë.

Po ashtu, theksohet se mbetet e paqartë nëse referendumi për pranimin e institucioneve në veri të Kosovës do të mbahet. “Pjesërisht si pasojë e qëndrimit dhe veprimeve të Prishtinës, serbëve të Kosovës dhe Beogradit, situata në veri të Kosovës ende është e tensionuar dhe potencialisht jostabile, duke ndikuar shumë në diskursin e tashëm politik. Kjo, po ashtu, reflekton në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së si dhe bisedimet për perspektivën evropiane të rajonit”, vlerësoi Ban.

Ai përkujton se Qeveria e Serbisë hapur e kundërshton mbajtjen e referendumit të cilin e konsideron se është i panevojshëm dhe jashtë obligimeve kushtetuese të pushtetit lokal, si dhe disa serbë në pjesën qendrore dhe jugore të Kosovës. Në këtë aspekt përkujtohet që Këshilli Evropian më 9 dhjetor ka vendosur të shtyjë vendimin për dhënien e statusit të kandidatit Serbisë për anëtarësim në BE për mars të vitit 2012, por disa vende këtë e kanë ndërlidhur me situatën në veri të Kosovës.

Ban, në raportin që mbulon periudhën nga 16 tetori 2011 deri më 15 janar 2012, ka përshëndetur edhe deklaratat e liderëve në Prishtinë për nevojën e vendosjes së komunikimit më të mirë me përfaqësuesit serbë në veri dhe zbatimin e Planit të Ahtisarit.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni