A e keni ditur se edhe Vuk Jeremiq,dikur pro shqiptar dhe anti-serb !

Beograd, 22 qershor – Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiq, sot njihet si një nga eksponentët më radikalë të skenës politike serbe në raport me shtetin e Kosovës dhe me shqiptarët.

Por në të kaluarën e tij ai tregon se ka bërë tifo për ekipin shqiptar nga Vlora, Flamurtarin.

Ai është deklaruar si një tifoz “i çmendur” i klubit serb Cërvena Zvezda, dhe pasi Flamurtari luante me rivalin e përbetuar të Cërvena Zvezdës, Partizanin, kishte zgjedhur të bënte tifo për ekipin vlonjat.

“Më përpara, në parim kam bërë tifo për çdo skuadër që luante kundër Partizanit, përfshirë edhe Flamurtarin e Vlorës”, ka thënë Jeremiq për revistën “Zvezda Srbija”. Tani që është bërë politikan, Jeremiq është bërë edhe më patriot. Ai pohon se tani anon për Partizanin kur luan me ekipet e huaja, megjithëse e “urren” si rival të fortë të ekipit tij të zemrës, Cërvena Zvezdës.

“Tash jam zbutur, ndoshta edhe jam pjekur dhe kur Partizani luan me të huajt, bëj tifo për të”, ka shtuar Jeremiq.

Në të vërtetë, gjenerata legjendare e Flamurtarit, ajo e viteve ’80, ka kënaqur Jeremiqin të paktën në dy ndeshje.

Më 1987, Flamurtari kishte eliminuar Partizanin nga Kupa e UEFA-s, qysh në xhiron e parë. Ndeshja e parë në Vlorë pati mbaruar 2:0 për Flamurtarin, ndërkohë ajo e kthimit në Beograd, 2:1 për Partizanin. Në fakt, Partizani po udhëhiqte 2:0 deri në minutën e 76-të dhe shpresonte për kalim tutje, por një eurogol i Sokol Kushtës, shoi shpresat e Partizanit që në radhët e veta kishte edhe kryetarin e tanishëm të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. Ajo gjeneratë e Flamurtarit kishte shkuar deri në xhiron e tretë të UEFA-s, që mbetet suksesi më i madh i skuadrës, ndërkohë që në këtë xhiro ishte eliminuar nga gjiganti botëror, Barcelona. Flamurtari, megjithatë, e kishte mposhtur Barcelonën në Vlorë 1:0, por në Barcelonë kishte humbur 4:1.

Pas 24 vjetësh nga ajo ndeshje, Partizani i Beogradit do të luajë sërish kundër një skuadre shqiptare. Në xhiron e dytë eliminatore të Ligës së Kampionëve do të ndeshet me Shkëndijën e Tetovës, që është kampione në fuqi e Maqedonisë.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni