Kreu i PDK’së, Kadri Veseli ka deklaruar mbrëmë se Lidhja Demokratike e Kosovës si dhe Lëvizja Vetëvendosje i kanë dërguar njerëz që të bisedojnë për mundësinë e krijimit të një koalicioni pa shkuar në zgjedhje të reja. Megjithatë, ndryshe po deklarohen në partinë e Albin Kurtit.
Partia Demokratike e Kosovës po thotë se ka marrë ofertë nga LDK’ja dhe Vetëvendosje për një koalicion pas mocionit të mosbesimit.
Kreu i kësaj partie, Kadri Veseli ka deklaruar mbrëmë se asnjëra palë nuk ka nevojë që t’i dërgojnë njerëz atij për të krijuar qeveri bashkë.
“Nuk kanë nevojë me e mashtru opinionin për izolim e të më çojnë mu njerëz me ba Qeveri të përbashkët. Me asnjërin s’kam me pasë qeveri. As këta që shkuan, nuk kanë shanse. As këta që vijnë, nuk kanë me pasë shancë me këtë mentalitet, partneritet në qeverisje të përbashkët. As këta që po kalojnë nuk kanë nevojë me dergu njerëz me u marrë vesh me shiqu qysh me e ba qeverinë. Ju kam tregu si syni. Po edhe këta që po hyjnë tash s’kanë të nevojë të flasin PDK me qenë pjesë e tyre. PDK nuk do të jetë me asnjë palë”, ka thënë Veseli në një intervistë për Reporterin.
Megjithatë, në Lëvizjen Vetëvendosje kanë reaguar menjëherë pas deklaratës së Veselit, duke deklaruar se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.
Arlind Manxhuka nga sekretariati për media ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook një intervistë të kreut të partisë, Albin Kurtit ku pyetet për këtë temë.
Në pyetjen se a mund të ketë koalicion me PDK’në në rast se do të ketë zgjedhje, Kurti përgjigjet shkurtimisht “Jo”.
Manxhuka ka shkruar se kreu i PDK’së është duke gënjyer lidhur me deklaratën se LVV i ka dërguar njerëz për koalicion.
“Edhe sa herë duhet t’ju gënjejë Kadri Veseli që ta kuptoni VETËVENDOSJE!-n”, ka shkruar ai.
Vetëvendosje pas mocionit të mosbesimit kanë kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje, sapo të stabilizohet situata me koronavirusin.