Forcat e rendit në Rumani i kanë lëshuar rreth 200 mijë gjoba për shkeljen e rregullave të izolimit gjatë pandemisë. Këto dënime janë shqiptuar vetëm nga data 24 mars deri më 19 prill.

Vlera e përgjithshme e këtyre gjobave është gati 78 milionë euro, që është e barabartë me taksat e mbledhura nga korporatat gjatë muajit shkurt, transmeton Gazeta Express.

Nuk ka të dhëna publike se sa prej këtyre gjobave janë paguar deri më tani. Sidoqoftë, numri i dënimeve në këtë shtet është shumë më i lartë në krahasim me Britaninë, ku policia për tri javë i ka shqiptuar vetëm 3,493 gjoba dhe i ka hapur 83 raste.

Vetën në natën e Pashkëve, në Rumani janë shqiptuar 3,384 gjoba dhe janë hapur 234 raste. Presidenti rumun, Klaus Iohannis, e shpalli gjendjen emergjente në këtë vend më 16 mars për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Pas këtij vendimi, qeveria lëshoi disa urdhra ushtarakë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Personat që i shkelin masat kufizuese mund të dënohen me gjoba prej 412 deri në 4,120 euro, shkruan “Romania Insider”.

SHPËRNDAJE