Shkruan: Shkodran H. ISMAILI
Publicist

Dorëheqjet e ditëve të fundit, ajo e Kryetarit të Kuvendit Komunal të Komunës së Preshevës z. Sami Saliut dhe e zv. kryetarit të Komunës dhe njëherit i APN –së z. Armend Aliut nga postet e tyre dhe me këtë dhe rënien e koalicionit aktual, ishte paksa befasuese dhe ndoshta nuk e prisnin asnjë subjekt politik opozitarë.

Brishtësia e këtij koalicioni përbrenda ishte në dukje që nga dita e parë, për të mos thënë kishte shumë falcitetete. Kishte shumë dallime në numra dhe vlera, në cilësinë e strukturimit dhe në përbërjen e strukturën kadrovike të të dy subjekteve të koalicionit. Komuna e Preshevës në asnjë stad të zhvillimit të saj politik në kuptimin e politikës nacionale si ndonjë koncept nuk ka qenë më e brishtë se në këtë qeverisje. Derisa APN nuk kishte as kuadro mirëfilli për një bashkësi lokale fshati ta menaxhonte dhe e cila përmes kryetarit të saj tregonte një mendësi politike mesjetare me kontradikta bazë edhe në njohjen e çështjeve elementre të zhvillimit politik dhe historik kombëtar, subjekti tjetër LRPDSH e sapo ndarë nga PDSH mendoj se përkundrazi ka treguar një kohezion familjarë të brendshëm shumë të fuqishëm. Kishte marrë një potencial të mjaftueshëm kadrovik nga ish subjekti që ishte divorcuar dhe në përbërjen e saj kishte mjaftueshëm fuqi për disa institucione! Kjo dhe për më shumë është e natyrshme, sepse forcat shoqërore të brendshme centripetale (forca nga qendra drejt periferisë, pra forca dhe prëplasja e cila shkaktoi çarjen nga PDSH në LRPDSH) që nga fillimi ishte shumë kohezive, e strukturuar mirë dhe e mbante dhe po e mbanë akoma ajo fryma kohezive e ditëve të para! Të paktë kështu i kishim paraqitjet e deri më tanishme.

Me thënë të drejtën fërkime brishtësie serioze brenda APN-së e cila na erdhi si fantom projekt dhe e cila pretendonte ‘kthesa radikale ndryshuese’ kemi parë veç atëherë kur u shpallën zgjedhjet parlamentare. Siç deri më tani është dukur, gjithçka ishte mirë e shkonte vaj derisa nuk u krijuan përplasje brenda partiake deri para zgjedhjeve parlamentare e që nënkryetari i saj të mos e akuzonte kryetarin për autoritarizëm, vendimmarrje të njëanshme egoiste dhe shumë e shumë të bëma të tjera. Ndërsa në popull ishin bërë bajate fjalori i tij prej “fëmije rrugësh” dhe denoncues ndaj çdo oponenti, ai nuk kursente as akuzat më jologjike ndaj tyre si kriminel, kancer, i sëmurë që duhet ti pij “hapat”, e deri në çka jo tjeter. Me një fjalë, fjalorit politik në Kuvend edhe ashtu të ndotur edhe më shumë i hodhi benzinë dhe e kontaminoi tejmase, larg humanizimit fisnik e demokratik.

Duke pasur parsyshë shumë zhvillime dinamike të kohëve të fundit, sidomos negociatat ndër shtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, neve në Luginë të Preshevës nuk duhet të na merr gjumi dimëror e të gjendemi të shkujdesur. Statusi pa një legjitimitet të plotë politik e kushtetues i Komuës së Preshevës si një piemont i Çëshjes së Luginës në përgjithësi dhe zëri jolegjitim e legal politik karshi këtyre ndodhive është i papranueshëm, besoj edhe për qendrat e vendosjes shqiptare siç janë Tirana, Prishtina e Shkupi zyrtarë ashtu dhe ato rajonale e ndërkombëtare.

Marrë e shikuar në përgjithësi, mendimin dhe konceptin tradicional politik në Luginë të Preshevës të cilin e kanë prodhuar subjektet tradicionale siç janë PVD dhe PDSH, një prokuktivitet mirëfilli i përpunuar dhe shndërruar në platformë politike këtu që tre dekada pluralizmi të organizimit të pavarur politik është dhe mbetet koncepti themeltar mbi të cilin janë zhvilluar dhe duhet doemos të zhvillohen gjithë proceset politike k[tu dhe më gjërë. Jashtë këtij tradicionalizmi dhe konservatorizmi të këtij koncepti politik, tjerat janë vetëm falcitete që nuk i shërbejn askujt.

Prandaj, në këtë drejtim iu bëjmë thirrje subjekteve tradicionale, që urgjentisht të formojn një shumicë parlamentare në Kuvendin e Komunës së Preshevës dhe më tutje të avancojn punët. Ndërhyrjet edhe nga Kosova e Shqipëria do ti kisha parë shumë të arsyeshme dhe ndoshta edhe të domosdoshme, sepse përndryshe do të dilnin shumë jobashkërenduese dhe qesharake vajtje ardhjet e shumë fugurave të rëndësishme nga atje. Më në fund të fundit ne jemi këtu një minoritet kombëtar ‘si mbetje dhe vazhdimësi jokonstitucionale’ e Shqipërisë dhe Kosovës politike që një shekull e sa. Madje deri më tani jam akoma i habitur se si nuk ka ndonjë zë serioz nga ata të cilët e vizituan Luginën e Preshevës dhe angazhoheshin seriozisht për avancimin e çështjes sonë!?

Nuk e shoh të arsyeshme organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, sepse edhe ashtu nuk ka ndonjë opsion e platformë më të avancuar demokratike dhe më serioze se kjo që e thamë, por dhe për të mos shpenzuar kot së koti edhe buxhetin edhe ashtu të lodhur të Komunës, por dhe për të mos e munduar qytetarin tonë në këtë kohë pandemie, anarkie jokonstitucionale dhe krize gjithëpërfshirëse kudo nëpër botë e ashtu dhe tek ne.

SHPËRNDAJE