“Ballkani Perëndimor ka shënuar ndryshime pozitive dhe të gjitha vendet e rajonit aspirojnë të integrohen në Bashkimin Evropian. Me këtë rast dua të përshëndes shtetin e ri, të pavarur të Kosovës, që brenda një kohe të shkurtër ka arritur rezultate pozitive në të gjitha proceset e demokracisë dhe të reformave ekonomike, duke ndikuar direkt në paqen e sigurinë e rajonit”.

Kështu ka deklaruar presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, në fjalën e tij të mbajtur në debatin e nivelit të lartë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork me temën “Gjendja e Ekonomisë Botërore”.

“Është një realitet që sot Shqipëria është jo vetëm një faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, por ajo ka përmirësuar ekonominë e saj në raport me vendet e tjera të rajonit”, tha Topi në debatin ku ishte i pranishëm edhe Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.

“Republika e Shqipërisë me ndryshimet e mëdha politike dhe ekonomike që ka pësuar këto 20-vitet e fundit në rrugën e saj drejt demokracisë dhe proceseve të integrimit të plotë në strukturat euro-atlantike, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë reformave ekonomike dhe atyre legjislative, për t’u përfshirë me sukses në ekonominë e tregut”.

“Kështu, Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike mesatare vjetore prej rreth 5.5 për qind deri në vitin 2009, gjë që ka çuar në një rritje të mirëqenies së shtetasve tanë. Gjithashtu, janë rritur investimet e kapitalit të huaj, është përmirësuar infrastruktura e vendit, është zgjeruar rrjeti i arsimit, shëndetësisë, mediave, shoqërisë civile, si dhe pjesëmarrja më e gjerë e gruas dhe rinisë në gjithë jetën politiko-shoqërore”, ka thënë ndër të tjera presidenti Topi. /telegrafi/

SHPËRNDAJE